Përplasje mes pushtetit dhe opozitës për buxhetin e vitit 2021

Debati në parlament për propozim-buxhetin për vitin 2021 assesi t’i bashkojë deputetët e pushtetit dhe opozitës. Opozita akuzon se pjesa më e madhe e buxhetit do të shpenzohet për qëllime partiake dhe për projekte jo-prioritare. Pushteti përgjigjet se nuk bën dallime midis qytetarëve dhe të gjitha fondet janë paraparë për të përmirësuar jetën e të gjithëve në vend.

“Buxheti në Republikën e Maqedonisë nuk mund të mbushet pa investime kapitale. Është për të ardhur keq, që nuk kemi një investim të madh kapital. Por, do të ketë shumë mjete për punësime të reja në Ministrinë e Transportit ku nuk ka investime kapitale. Do të ketë një rritje prej 1000 për qind të punësimeve të reja. Ky është realiteti”, pohoi Vlado Misajllovski – VMRO-DPMNE.

Buxheti është zhvillimor dhe i projektuar që të mundësojë rritje ekonomike. Kështu pushteti e mbron propozim -buxhetin për vitin 2021. Ata shtojnë se përveç deficitit në arkën e shtetit, që duhet të financohet, vitin e ardhshëm do të ketë një sërë këstesh për shlyerje në bankat vendase dhe institucionet financiare ndërkombëtare, nga ku vendi ka marrë hua ndër vite.

“Ne kemi shlyerje të borxhit të jashtëm prej 605.6 milion euro, nga të cilat ripagim më i lartë është shlyerja e eurobondit të emetuar në vitin 2014, në vlerë prej 500 milion euro dhe me normë interesi prej 3.975%. Shlyerje e borxhit të brendshëm prej 99.5 milion euro”-tha Dimitar Kovaçevski, zëvendës Ministër i Financave.

Përndryshe, kjo është dita e dytë e debatit në seancën plenare për propozim buxhetin për vitin 2021, dhe debati zgjat maksimumi pesë ditë pune, pas së cilës votohet propozimi. Më parë, në debatin për amendamentet, pushteti pranoi 18 amendamente, nga opozita në Komisionin e Financave dhe Buxhetit.