Përplasje edhe mes Visar Ganiut dhe Artan Grubit

Ndasitë mes grupit të zjarrit në BDI dhe krahut tjetër të kësaj parti të udhëhequr nga Ali Ahmeti kanë vazhduar edhe për punën dhe investimet në komunën e Çairit. Kryetari i komunës Visar Ganiu e ka quajtur gënjeshtar Artan Grubin lidhur me pohimet për ndërtimin e çerdhes në këtë komunë nga qeverisja aktuale.

“Mjaft më e gënjeve popullin o Artan Grubi. Si nuk po të vjen turp. Vendimi për ndërtimin e çerdhes në Çair u soll nga qeverisja e kaluar e JO nga ti, të gjitha procedurat, të gjitha lejet, vendimet për përzgjedhjen e operatorëve, mjetet u siguruan nga qeverisja e kaluar kur tjetër kush ishte ministër dhe JO nga ti Artan Grubi. Mos u lavdëro për një punë që ti nuk e ke bërë e as qeveria aktuale. Ti nuk ke asnjë meritë për ndërtimin e çerdhes më të madhe në Çair, ashtu siç të bëmë vërejtje edhe në mbledhjen e Kryesisë qendrore të BDI-së ku edhe aty tentove t’i përvetësosh meritat për ndërtimin e kësaj çerdhe…”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Ganiu akuzoi Grubin se qeveria aktuale gjatë mandatit të saj nuk ka investuar as 1 milionë euro të plota në këtë komunë.

Nga ana tjetër deklarata e Ganiut është kundërshtuar përmes një komunikate nga BDI-ja e cila thekson se “të gjitha të arritura janë realizuar me kontributin e përbashkët për zbatim të premtimeve dhe programeve zgjedhore”.

“Thellë të dëshpëruar nga reagimet publike individuale të kryetarit të Komunës së Çair, distancohemi nga fjalori i përdorur ofendues dhe tentativa për përvetësime dhe instalim të përçarjes dhe bëjmë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të keqpërdorimit të pozitës për agjenda individuale që nuk janë në vijë me liderin Ali Ahmetin dhe Bashkimin Demokratik për Integrim”, thanë nga BDI.

Kjo komunikatë me reagim ndaj Ganiut është lëshuar në emër të disa funksionarëve të degës së Çairit të cilët thonë se janë të shqetësuar pasi nga zgjedhja e drejtuesve të degës nuk është mbajtur asnjë mbledhje në 3 vitet e fundit dhe nuk është shqyrtuar as zbatimi i programit të premtuar zgjedhor lokal e qendror e as që janë thirrur në përgjegjësi funksionarët për punët e zbatuara ose të parealizuara.