Përplasi për vdekje një grua dhe u arratis në Serbi, nis procedura e ekstradimit të Saitovit

Prokuroria Publike njoftoi se ka dorëzuar dokumentacionin në Ministrinë e Drejtësisë, me të cilin duhet të fillojë procedura për ekstradimin e Sait Saitovit, i cili përplasi për vdekje një grua në Shkup dhe aktualisht ndodhet në paraburgim ekstradues në Serbi.

“Ministria e Drejtësisë do të përgatisë kërkesë për ekstradim, e cila do të dërgohet në Republikën e Serbisë. Sa do të zgjasë procedura dhe kur do të ekstradohet, nuk mund të parashikohet paraprakisht”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se më 10 shkurt janë njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme se në Serbi është arrestuar Saitovi, dhe tani mbetet që institucionet në Serbi të përgjigjen ndaj kërkesës së tyre për ekstradim.

“Afati i vetëm në kërkesat për ekstradim është afati për dorëzimin e kërkesës. Sa shpejt do të përgjigjet shteti ndaj kërkesës varet nga shteti ku ndodhet personi”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Pasi në janar Sait Saitovi me automobil përplasi një grua 75-vjeçare në qendër të Shkupit, ai u largua nga vendi i ngjarjes dhe më pas, së bashku me të atin, u transportua nga të afërm për në Serbi. /Alsat.mk