Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka akuzuar Podgoricën se synon marrëdhëniet më të këqija të mundshme me Serbinë.
Spajiqi ka thënë se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një politikë të qartë evropiane. Ai akuzoi Vuçiqin se po merr rolin e zëdhënësit të Rusisë.
“Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë. Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një politikë të qartë evropiane që, me sa duket, zoti Vuçiq nuk dëshiron ta kuptojë. Dhe nuk është pikërisht e përshtatshme që ai, nga pozicioni i tij, të marrë rolin e PR-it të Rusisë dhe t’u japë mësime të tjerëve mbi parimet”, ka shkruar Spajiq në rrjetin “X”.
Ai e ka kritikuar Vuçiqin edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë, duke ngritur çështjen e furnizimit me armë dhe municion për Ukrainën.
“Një pyetje e thjeshtë për presidentin Vuçiq: si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave në dispozicion, është një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municionit për Ukrainën, ndërsa Moskës i dërgon një mesazh dhe Evropës një tjetër? Ne në Mal të Zi nuk kemi problem me një qëndrim të qartë. Kemi problem vetëm me standardet e dyfishta”, ka thënë Spajiq.
Ndërkohë, në deklaratat që nxitën reagimin e Spajiqit, Vuçiqi ka përsëritur kritikat ndaj Podgoricës, duke pretenduar se autoritetet malazeze synojnë të “riedukojnë” serbët që jetojnë në Mal të Zi.
“Ata në Podgoricë udhëheqin një politikë të tillë. Ata duan t’i riedukojnë 33 për qind të serbëve që jetojnë atje, në mënyrë që në regjistrimet e ardhshme të mos jenë më serbë”, ka deklaruar Vuçiq.
Sipas tij, Mali i Zi synon marrëdhëniet më të këqija të mundshme me Serbinë, ndërsa mediat malazeze, siç pretendon ai, kanë zhvilluar “fushatë brutale” kundër Serbisë.
Vuçiq ka kritikuar gjithashtu Podgoricën për mbështetjen e vazhdueshme të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, duke thënë se Mali i Zi është ndër vendet e para që i miraton paketat e reja të sanksioneve.



