Përpjekje kundër shtyrjes së afatit të zgjedhjeve

Kryeministri i Zoran Zaev nesër në orën 17:00 në selinë e Qeverisë do të realizojë takim me liderin e opozitës, Hristian Mickoski. Sipas burimeve qeveritare, Zaev dhe Mickoski do të kenë konsultime për qeverinë teknike, ndonëse akoma mbetet e paqartë nëse zgjedhjet do të mbahen më 12 prill apo do të shtyhen. Kryeministri Zaev ka deklaruar se në vitin 2020 do të ketë zgjedhje, por nëse ato do të mbahen më 12 prill, kjo do të varet nga qasja e opozitës ndaj Kuvendit. Sipas kryeministrit zgjedhjet mund të shtyhen, nëse VMRO-ja opozitare i bllokon, në Kuvend, ligjet prej të cilave varen rrogat, pensionet dhe investimet. Por, kryetari i parlamentit Talat Xhaferi, ka thënë se LSDM-ja dhe VMRO-ja kanë arritur marrëveshje që të miratohen të gjitha propozim/ligjet nga seanca e 123-të kuvendore, të cilat duhet të hyjnë në fuqi nga 1 janari. Por, Xhaferi nuk i ka dhënë detaje gazetarëve për marrëveshjen, që sipas tij, kanë arritur pushteti dhe opozita. “Duhet ta pyetni Mickoskin dhe Zaevin për këtë temë”, tha kryetari i Parlamentit. Pohimet e Talat Xhaferit për tejkalimin e dallimeve mes LSDM-së dhe VMRO-së nuk i konfirmuar asnjë politikan i pushtetit apo opozitës maqedonase, deputetët e së cilës në seancën e 123 me fjalime të gjata dhe replika kanë bllokuar mbledhjen. Lidhur me mundësinë për shtyrjen e zgjedhjeve, Xhaferi potencoi se ato mund të shtyhen derisa nuk shpallen nga Kuvendi. “Në rast se, kryeministri nuk jep dorëheqje, nuk mund të zgjidhet qeveri teknike dhe të mbahen zgjedhje të parakohshme” u shpreh Xhaferi. Megjithatë, ai sqaroi se, nëse respektohet marrëveshje që arritën partitë te presidenti Pendarovski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pritet që më 3 janar të mbahet seancë në Parlament në të cilën do të zgjidhet Qeveria teknike, ndërsa votimet do të mbahen më 12 prill.