Malet me mbeturina prej plastike, mbeturinat që krijohen gjatë ndërtimit, pemët, shkurret dhe mbeturinat e ndryshme janë një pjesë e madhe e shkakut se pse shirat që e kanë përfshirë vendin ditët e fundit në disa pjesë kanë shkaktuar përmbytje katastrofike dhe kanë lënë qindra njerëz pa strehë. Ruajtja e rrjedhshmërisë së shtretërve të lumenjve përsëri është një çështje që trajtohet vetëm në kohë krize, edhe pse ajo duhet të jetë një aktivitet i rregullt i pushtetit lokal dhe i institucioneve shtetërore. Fakti që lumenjtë në vend janë deponi rezervë tashmë dihet prej kohësh. Kjo u konfirmua edhe një herë këto ditë kur, përveç ujit, sasi të mëdha mbeturinash rrodhën edhe nga lumenjtë Vardar, Treska, lumi i Zajazit, i Sllupçanit dhe të tjerë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Siç informojnë nga Qendra për Menaxhimin me Kriza niveli i ujit të lumenjve ngadalë po bie dhe nuk ka përmbytje të reja në rajonet kritike të Kërçovës, Tetovës, Gostivarit, Sarajit dhe Manastirit, me përjashtim të ujërave të mbledhura përgjatë rrjedhës së lumit Vardar nga Shkupi drejt Velesit, ndërkohë që vihet re edhe një rritje e nivelit të ujit të Vardarit në Demir Kapija.
Por, nga QMK theksojnë se duke pasur parasysh parashikimin e motit nga DPHM, sipas të cilës priten reshje të reja shiu dhe bore të cilat në disa vende do të jenë më të bollshme, të gjitha ekipet do të jenë të alarmuara për shkak të mundësisë së rritjes së prurjeve të ujit në shtretërit e lumenjve.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, thotë se këto ditë në terrenin ku ndodhën përmbytjet mund të vihet re se njeriu dhe sjellja e tij janë faktori më i rëndësishëm që ndikon në përkeqësimin e situatës duke i mos i respektuar ligjet e pashkruara të natyrës. Hedhja e vazhdueshme e mbeturinave kudo në përrenj, shtretër të lumenjve dhe ura e zvogëlon ndjeshëm rrjedhshmërinë e ujit nëpër shtretërit e lumenjve. Këtu bëjnë pjesë edhe ndërtimet pa plan të ndërtesave dhe objekteve ndihmëse në shtretërit e lumenjve, të cilat nuk janë në përputhje dhe janë jashtë planeve urbanistike, duke e shpërfillur faktin se lumenjtë janë të prirur drejt ndryshimit të rrjedhës së tyre.
“Një pjesë e madhe e ndërtesave të ndërtuara brenda shtretërve të lumenjve nuk janë në përputhje me Planet e Detajuara Urbanistike ekzistuese të komunave, as nuk janë të legalizuara. Është e qartë se ndërtesat pranë lumenjve dhe shtretërve të lumenjve janë një rrezik për familjet që i kanë ndërtuar ato, të cilat janë në rrezik të drejtpërdrejtë nga përmbytjet, por ato janë gjithashtu një pengesë e madhe për sa i përket drejtimit të lëvizjes së nivelit të ujërave nëntokësore. Hapësira për meandrimin e shtratit të lumit është e prirur për zgjerim, e me këtë automatikisht shkakton pellgje dhe derdhje të masës ujore në sipërfaqe më të mëdha. Sipas rregulloreve pozitive ligjore ndërtesa të tilla nuk janë as të lejuara dhe as të sigurta”, thotë Aliu.
Pasojat e përmbytjeve që po i shohim sot janë rezultat i pakujdesisë së shtetit, por edhe të qytetarëve ndaj pyjeve, sidomos për shkak të prerjes së pakontrolluar e të paligjshme të pyjeve, gjë që e rrit rrezikun nga erozioni dhe nga bartja e sasive të ujit nga vërshimet nga zonat e larta malore. Për vite me radhë ne kemi qenë dëshmitarë të pakujdesisë dhe, në disa raste, të mbylljes së rrjetit të kanaleve sekondare dhe terciare në favor të ndërtimit të ndërtesave individuale dhe kolektive, zgjerimit të parcelave dhe interesave të tjera që ndikojnë shumë në aftësinë për t’i pranuar ujërat e përmbytjeve. Edhe pse kanalet kulluese ishin të planifikuara, në një pjesë të madhe ato nuk ekzistojnë më ose komunat bëjnë shumë pak për t’i mirëmbajtur ato. Edhe pastrimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm dhe i planifikuar i shtretërve të lumenjve jashtë zonave urbane dhe Brenda urbane, përfshirë këtu edhe rregullimin e shtretërve të lumenjve, është gjithashtu ndër aktivitetet që nuk janë lart në agjendën e shtetit dhe autoriteteve lokale.
Nga QMK informojnë se gjatë ditëve të kaluara situata ishte më kritike në rajonin e Kërçovës, Gostivarit, Likovës dhe Shkupit, në Komunën e Sarajit. Në Kërçovë rreth 63 familje mbetën pa shtëpitë e tyre, të cilat u përmbytën nga ujërat e ardhura. Ata janë strehuar përkohësisht në sallën sportive “Hristo Uzunov”, ndërsa ekipet e ndërmarrjeve publike komunale po pompojnë ujin nga shtëpitë e tyre. Edhe objektet spitalore janë përmbytur. Edhe një numër i madh i parcelave bujqësore janë përmbytur nga ujërat e shtuara të lumenjve Treska dhe lumi i Zajazit.
Kryetari i komunës, Aleksandar Jovanovski, deklaroi se po shqyrtohen prioritetet për ndërhyrje, nevojat për mekanizim dhe pajisje shtesë, si dhe masat që po ndërmerren për rehabilitimin dhe normalizimin e situatës. Ai vizitoi mbi 250 persona të strehuar në sallën sportive dhe premtoi se do të bëhet një vlerësim dhe regjistrim i shpejtë i dëmeve, si dhe pastrimi dhe sanimi i pikave kritike.
Në rajonin e Pollogut Vardari doli nga shtrati dhe përmbyti mbi 200 ndërtesa, shumica e tyre në fshatin Forinë, ndërsa u përmbytën edhe rrugët dhe arat lokale si dhe kishte rrëshqitje të dheut në disa vende. Nga Qendra për Menaxhimin me Kriza informuan edhe për kanale të bllokuara në disa fshatra në rajon.
Në Kumanovë arat u përmbytën në fshatin Opajë pas daljes nga shtrati të lumit të Sllupçanit, ndërsa nga QMK informuan se në fshatin Dobroshan për shkak të mbeturinave të grumbulluara ujërat e lumit përfunduan nëpër fara. Në Manastir niveli i Crna Rekës është 310 centimetra, njoftuan nga QMK, ndërsa një shtëpi u përmbyt. Në Shkup Vardari doli nga shtrati në Zelenikovë.
Kujtojmë se shirat e rrëmbyeshëm që goditën Maqedonia e Veriut gjatë fundjavës përmbytën shumë rajone dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale. Rrugë të bllokuara, shtëpi të përmbytura dhe ndërprerje të energjisë u raportuan në disa zona. Në raste të tilla shpesh vihet në pah edhe dështimi i sistemit, sidomos në infrastrukturë dhe reagim institucional. Këto ngjarje tregojnë nevojën për masa më të forta parandaluese dhe përgjegjësi më të madhe nga autoritetet.



