Reshjet e dendura problem shkaktuan edhe në Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë, por me dëme më të vogla, transmeton TV21.
Në Gostivar dhe vendbanimet përreth janë raportuar shtëpi, bodrume dhe objekte afariste të përmbytura, si dhe dalje të ujërave nga shtrati dhe kanale të bllokuara.
U vërshuan disa rrugë të fshatrave Vrapçisht, Turqan dhe Llakavicë, duke shkaktuar vështirësi për lëvizje. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, rruga e fshatit Padalisht u bllokua plotësisht. Në fshatin Forinë është raportuar dalje e lumit Vardar nga shtrati, me përmbytje të sipërfaqeve bujqësore dhe rrezik potencial për shtëpitë pranë urës drejt fshatit Tumçevishtë.
Qendra për Menaxhim me Krizat kumtoi se janë raportuar përmbytje të shtëpive në fshatin Bellovishtë, ku në një shtëpi u bllokuan një nënë me dy fëmijë, të cilët më pas u evakuuan.
Raportohet edhe bllokim i kanalit në fshatin Balindol, ku u përmbytën disa shtëpi.
Nga Komuna e Gostivarit informuan se ekipet komunale nga mëngjesi kanë qenë në terren për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të minimizuar pasojat e shkaktuara nga përmbytjet. Shtojnë se situata është shkaktuar kryesisht nga dalja jashtë shtratit e kanaleve nën administrimin e Drejtorisë për Ekonomi të Ujërave, të cilat nuk janë në kompetencë të Komunës së Gostivarit./TV21





