Përmbytje në Maqedoni: Situata më kritike në Kërçovë, Shkup, Tetovë dhe Gostivar (Video)

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në Maqedoninë e Veriut, situata më kritike paraqitet në Kërçovë, Shkup, Tetovë dhe Gostivar, transmeton Portalb.mk.

Rajoni i Kërçovës

Gjatë natës, shirat e mëdhenj shkaktuan përmbytjen e lumit Zajashka në rrugën “Prilepska” në Kërçovë, ku u përfshinë disa shtëpi. Rreth 180 persona u evakuuan dhe u vendosën në palestrën sportive “Hristo Uzunov”. Është intervenuar edhe në pjesë tjera

Sipas informacionit aktual, nuk ka persona të rrezikuar për jetën, por evakuimi parandalues vazhdon. Shumë reshje vijojnë dhe gjendja po ndiqet me kujdes.

Rajoni i Shkupit

Gjatë orëve të para të ditës në Qendrën për Menaxhim me Kriza janë pranuar disa njoftime nga qytetarët, ku janë raportuar objekte dhe oborre të përmbytura në Gazi Babë, Saraj, Zelenikovë, Butel.

Rajoni i Tetovës

Në Qendrën për Menaxhim me Kriza është raportuar rrëshqitje dhe bllokim i rrugës Tetovë – fshati Xhermë, ku trafiku është ndaluar.

Që nga ora 07:45 në rrugën Tetovë – Mali Sharrit është vendosur ndalim për automjete të rënda dhe autobusë për shkak të reshjeve të borës.

Ka rrëshqitur dheu përgjatë rrugës së Banjës.

Ndërkaq është shkatërruar edhe traseja e një pjese të rrugës së re e cila ndërtohet për qarkoren e Tetovës, Trebosh-Xhepçisht.

Sa i përket nivelit të ujit, aktualisht nuk ka rritje të lumit dhe nuk pritet përmbytje. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm funksionon normalisht.

Rajoni i Gostivarit

Në Gostivar dhe fshatrat përreth janë raportuar përmbytje të shtëpive në fshatin Belovishte, si dhe në lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë. Raportohet edhe bllokim i kanalit në fshatin Balindol, ku u përmbytën disa shtëpi.

Në një nga shtëpitë e përmbytura në Belovishtë ishin bllokuar dy fëmijë dhe nëna e tyre. Për këtë rast u njoftuan menjëherë NJTZ në Gostivar dhe OPM Gostivar.

Përmbytjet janë rezultat i daljes së lumit SushiÇka dhe kanaleve të bllokuara. Planifikohet angazhimi i mekanizimeve për pastrimin e terrenit.

Përfaqësues të vetëqeverisjes lokale dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim janë në terren dhe po e monitorojnë situatën.