Përleshje me thikë në Gjermani: rëndë plagoset 24-vjeçari nga Maqedonia

Një 24-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është plagosur rëndë me thikë gjatë një përleshjeje mes dy grupeve në Bad Segeberg të Gjermanisë.

Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 04:20 në rrugën “Kirchstraße”, pranë sheshit të qytetit. Sipas policisë, një debat verbal përshkallëzoi në përleshje fizike, gjatë së cilës një 23-vjeçar me shtetësi gjermane përdori thikën dhe plagosi rëndë maqedonasin. Në incident u plagos edhe një 23-vjeçar nga Iraku.

I riu nga Maqedonia e Veriut u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua operacionit. Fillimisht plagët u konsideruan kërcënuese për jetën, por pas ndërhyrjes mjekët konfirmuan se ai nuk ndodhet më në rrezik për jetën.

Tre persona, përfshirë të dyshuarin kryesor, u larguan me makinë, por më vonë u gjetën në një klinikë dhe u arrestuan përkohësisht. Pas procedurave policore, prokuroria urdhëroi që të lirohen dhe të mbrohen në liri.

Policia kriminale në Bad Segeberg po heton rastin dhe u ka bërë thirrje dëshmitarëve të kontaktojnë autoritetet.