Përkundër protestave të shumta, Parlamenti i Malit të Zi miraton projektiligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe

Kuvendi i Malit të Zi miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), për bashkëpunim në turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme.

Për këtë marrëveshje votuan 46 deputetë, dhjetë ishin kundër, ndërsa katër abstenuan. Seanca për dy marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe zgjati më shumë se 12 orë.

Kundër kësaj marrëveshje votuan deputetë nga partitë e pakicave, përveç Partisë Boshnjake, si dhe Lëvizja Qytetare URA dhe deputeti socialdemokrat Boris Mugosha.

Komiteti i Partisë Popullore Demokratike abstenoi, ndërsa pjesa tjetër e opozitës, përfshirë Partinë Demokratike të Socialistëve, nuk mori pjesë.

Deputetët nuk e pranuan amendamentin e deputetes së pavarur Jevrosima Pejoviq, e cila kërkonte që projektet që do të realizoheshin përmes kësaj marrëveshjeje të mos trajtohen si interes publik.

Shfaqja e kompanisë arabe “Eagle Hills”, e cila pretendon se do ta kthejë qytetin më jugor malazez, në siç thonë ata, Dubain e ri ka bërë bujë në Mal të Zi – dhe ka nxitur reagime dhe kundërshtime të shumta.

Dhe një i fundit ka ardhur nga Rrjeti i OJQ-ve të Ulqinit që mendon se Qeveria e Malit të Zi duhet t’i marrë parasysh rekomandimet e komunitetit profesional dhe kolegëve nga sektori civil dhe të pranojë konkluzionet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit lidhur me shpalljen e mundshme të qirasë për “Plazhin e Madh” për 99 vjet.

Në një deklaratë, OJQ-të e Ulqinit vlerësojnë se edhe investitori potencial është i vetëdijshëm se pa mbështetjen e komunitetit lokal, një projekt kaq madhështor nuk mund të jetë i suksesshëm.

Ditë më parë edhe kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka bërë thirrje publike për qytetarët që të mblidhen para Parlamentit të Malit të Zi, për të kundërshtuar planet për dhënien apo shitjen e Plazhit të Madh.

“Të nderuar qytetarë të Ulqinit dhe Malit të Zi, beteja për Plazhin e Madh po vazhdon”, thuhej në videon e postuar nga Nimanbegu në profilin e tij në Facebook.