Përkujtohet jeta dhe vepra e historianit Naim Halimi

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor në nderim të jetës dhe veprës së historianit prof. dr. Naim Halimi, i cili kohë më parë u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Udhëheqësja e tubimit, Shejnaze Ajdini – Murtezi, paraqiti një jetëshkrim të prof. dr. Naim Halimit, nga fshati Shtrazë i Kumanovës, doktor i shkencave historike. Ai disa vjet punoi në arsimin fillor në Kumanovë, ndërsa pas doktorimit ishte ligjërues dhe prorektor në Universitetin e Tetovës. Që nga viti 2009 e deri në fund të jetës punoi në ITShKSh – Shkup, në departamentin e Historisë, ku mori pjesë në shumë konferenca shkencore dhe botoi disa libra. Viteve të fundit ishte angazhuar si ligjërues edhe në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Drejtori i ITShKSh – së, Skender Asani, vuri në pah punën dhe angazhimin e madh të prof.Naimit në zhvillimin dhe konsolidimin e Institutit, në momentet kur ky institucion kishte më së shumti nevojë, në hapat e tij të parë.
Më pas një referat e paraqiti kolegu shumëvjeçar dhe bashkëveprimtar i afërt prof. Naimit në katedrën e historisë së Universitetit të Tetovës, prof. dr. Zeqirja Idrizi.
Evokime kujtimesh pati edhe Etem Xheladini, kolegë i punës në Sh.F. “Naim Frashëri” në Kumanovë dhe bashkëveprimtar i pandashëm në disa dekada me prof. Naimin, jo vetëm në shkollë, por edhe duke kontribuuar pareshtur edhe në sektorin joqeveritar. Po ashtu fjalë rasti pati edhe kolegu Zeqirija Ibrahimi – bashkëpunëtor i lartë shkencor i Institutit.
Një referat paraqiti edhe prof. dr. Sevdail Demiri – kryetar i Këshillit të ITSHKSh-së ku ishte anëtar edhe vetë prof. Naimi, si kolegë dhe bashkëpunëtor i ngushtë në Departamentin e historisë, me të cilin botuan edhe një vepër të përbashkët për trashëgiminë kulturore të trevës së Kumanovës.
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi Mirlinda Halimi – e bija e prof. Naim Halimit, inspektore e farmacisë. Ndërsa, drejtori i Instituti, Skender Asani, i ndau Mirënjohje post mortum Prof. dr. Naim Halimit me motivacion: “Për kontributin e veçantë në sferën e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Për konsolidimin dhe zhvillimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup”. Plaketën e mirënjohjes e pranoi i biri Jeton Halimi – magjistër i historisë.
Naim Halimi është autor i botimeve shkencore, si: “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trevën e Karadakut (1908-1912)”, Kumanovë, 2001; “Studime historike dhe etnologjike në trojet tona etnike”, ITSHKSH, Shkup, 2017, dhe “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës”, në bashkautorësi me Sevdail Demirin, ITSHKSH, Shkup, 2019. Në dorëshkrim i pati edhe disa vepra të rëndësishme të historiografisë, si: “Historia e popullsisë së Kumanovës (1600-2000) – disa personalitete të shquara shqiptare”; “Shpërnguljet e shqiptarëve nga Kumanova”, “Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e demokracisë”, monografi për Shtrazën, etj.