Përkujtim për shokun e idealit, Muharrem Shaljani

Shkruan: Shpëtim Pollozhani

I ndjeri Muharrem Shaljani ishte model për gjeneratat e reja i të ecurit drejtë. Ishte model i sakrificës, konsekuencës dhe atdhedashurisë. Me qëndrimin stoik në burgjet sllave dhe me veprimtarinë pas daljes nga burgu, ai e ngriti në majat e lartësive më të mëdha institucionin e të burgosurit politik.

Muarrem Shaljani ishte shtyllë dhe model për gjithë të burgosurit politik; veprimtaria, e të cilit fillon dy dekada para burgosjes së tij.
Muharem Shaljani ishte një institucion, i cili të mëson si duhet të luftojë për liri e atdhe një popull i robëruar, por vdekja e pabesë ia preu rrugëtimin.

Shoku ynë e donte lirinë dhe atdheun e vet deri në vuajte. Me veprimtarinë e tij ai shkroi historinë e trojeve shqiptare për tu ulur këmbëkryq dhe për të qenë pjesë e këngës sonë të dhimbjes krenare.

Jeta dhe rrugëtimi për liri i Muharem Shaljani, nuk dallon aspak nga jeta dhe veprimtaria e Hasan Prishtinës, Isë Boletinit, Shaban Polluzhës dhe shumë atdhetarëve tjerë, që e shkrinë jetën dhe tretën pasurinë për komb e atdhe.

Ne si Shoqatë e të burgosurve politikë, jemi krenarë që ishim bashkëpunëtorë dhe bashkëvuajtës të tij në rrugëtimin e madh të bashkimit të kombit. Ty nuk të thyen as torturat dhe qelitë e errëta të burgjeve sllave, as rrebeshet politik që thyeshin mbi kurrizin tënd, por ja, me vdekjen e pabesë s’kemi se ç’bëjmë!

Emri i jot pastë dritë dhe pushoftë në paqë! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe dashamirëve!

Lamtumirë shoku i nderuar!

Lamtumirë në emër të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë!

Të qoftë i lehtë dheu i tokës nanë!

Kumanovë, 24 mars 2026.