Përfundon numërimi i të gjitha votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.

Tani, KQZ-ja është e gatshme që të shpallë rezultatin përfundimtar, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

“Por, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, theksoi Elezi.

Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin ato me postë, numërimi i të cilëve përfundoi në orën 02:00 të 9 janarit.

Pikërisht për votat me postë, në PZAP është dërguar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës e cila ka kërkuar shufqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë.

Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja e Albin Kurtit ka shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhje ndonjëherë, duke fituar 51.11 për qind të votave apo përkthyer në vota, ky subjekt mori 486.994 vota që i japin 57 vende në Kuvend.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, është personi më i votuar në Kosovë duke marrë 40.4.023 vota.

Partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 vende në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar – do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga radhët e komunitetit serb do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Ndërkaq, të dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë në disa parti dhe koalicione.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 për qind e trupit votues.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se synon formimin e shpejt të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ishin rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin Kuvendin deri më 10 tetor.

Kurti më pas nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e Qeverisë, por as Glauk Konjufca nga LVV-ja./REL