Përfundon dëshmia e 17-të ndaj ish-drejtuesve të UÇK

Procesi gjyqësor do të rinisë më 28 Gusht

Serbja Dragisha Bozhaniç ishte dëshmitarja e 17-të në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ajo ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998 në komunën e Rahovecit. Pretendon se UÇK-ja e kishte sulmuar familjen e saj dhe banorët përreth për t’i larguar nga shtëpitë e tyre e duke i mbajtur sipas saj të ndarë gratë nga burrat. Ka thënë prej asaj periudhe nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.

“Askush nuk na ka thënë asgjë neve nga fshati jonë apo personave nga fshati tjetër, thjeshtë kanë thënë nuk ju kemi marrë me qëllim të ju vrasim sepse po të kishim dashur ta bënim këtë do ta bënim në oborrin tuaj. Megjithatë njerëzit vazhduan të mbaheshin të ndaluar në ato shtëpi.”

Ka pranuar se para sulmit nga pjesëtarët e UÇK-së, serbët civilë të asaj ane, ishin armatosur nga Serbia.

-Kur filloi konflikti në Kosovë, a është e saktë të thuhet që autoritetet serbe iu dhanë armë civilëve në fshatra të ndryshme?

Dëshmitarja: Kjo ka ndodhur përpara. Në cilat vite nuk e mbaj në mend. Ka ndodhur më herët.

Gjykimi në këtë rast ka përfunduar dhe pritet të vazhdojë më 28 gusht. Gjatë kësaj javë janë dëgjuar 2 dëshmitarë.

Tv Klan