Përfundon debati për ligjin e regjistrimit, përplasje për kategorizimin e qytetarëve

Kuvendi as sot nuk arriti ta miratojë propozim-Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Debati u koncentrua në kërkesat e opozitës që të anulohet regjistrimi për shkak pandemisë. Sipas VMRO-DPMNE-së, regjistrimi mund të shtyhet edhe për një vit.

Është e vërtetë se gati 20 vite nuk kemi regjistrim, por pas 20 viteve mendoj se nuk është problem që të pezullohet për 1 vit me qëllim që qytetarët të mbrohen nga pandemia- deklaroi Zhaklina Peshevska, VMRO-DPMNE.

Partitë shqiptare shkëmbyen akuza rreth kuadrove që do të marrin pjesë në zbatimin e regjistrimit.

Nëse me të vërtetë jeni të shqetësuar nga kapitali njerëzor është mirë që kolegëve të BDI-së t’i tregoni se është koha që njerëzit të kualifikohen nga kapacitetet partiake. Sepse në këtë gjendje kemi ardhur si pasojë e Qeverisjes 18 vjeçare- pohoi Ilire Dauti, ASH.

Kë e vendosët për anëtarë në KSHZ dhe në çfarë lidhje familjare jeni? Eja të mendojmë mirë. Secili nga ne vlen dhe fundja regjistrohu dhe largoni mendimet negative dhe obstruksionet ndaj regjistrimit- tha Arta Bilalli, BDI.

Deputeti Pavle Trajanov, ish ministër i Brendshëm kërkon që Enti i Statistikave të sigurojë edhe të dhënat nga lëvizjet e qytetarëve në pikat kufitare vitin e fundit.

Nëse bëjmë përzgjedhje të atyre që jetojnë këtu dhe atyre që janë jashtë vendit, nuk jam i sigurt se nuk duhet shfrytëzuar edhe të dhënat për hyrjet dhe daljet nga pikat kufitare në vendin tonë nëse duam të kemi të dhëna të sakta- pohoi Pavle Trajanov, LD.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq theksoi se pas miratimit të ligjit, regjistrimi është i obligueshëm.

Vetëm pengohet zhvillimi i shtetit, ndërsa thirrjet për bojkot janë bizare. I keni ngatërruar zgjedhjet me regjistrimin. Nuk mund të bojkotohet diçka që është e rregulluar me ligj. Pas miratimit të ligjit, regjistrimi bëhet i obligueshëm dhe të gjitha karakteristikat etnike dhe fetare do të përfshihen në të- deklaroi Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Në bazë propozim/ligjit regjistrimi i popullsisë duhet të mbahen nga 1-21 prill.