Përfshihet nga flakët në Shqipëri, furgoni i Maqedonisë që po transportonte zogj, ngordhin giysma e shpendëve

Një furgon me targa të Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune në afërsi të një pikëpushimi për shoferët në Lushnjë, pranë rrugës që të çon në Këmishtaj.

Automjeti po transportonte një ngarkesë me zogj të vegjël të fushës, të cilët po importoheshin nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesi i furgonit e ka konstatuar zjarrin vetëm pasi ka dalë nga autostrada dhe ka marrë kthesën në drejtim të Këmishtajt.

Pas njoftimit të marrë, shërbimet e zjarrfikëses së Lushnjës kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, duke ndërhyrë për të shuar flakët që kishin përfshirë kabinën e drejtuesit. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, dëmet kanë qenë të mëdha: një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës është dëmtuar dhe më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur.

Sipas vlerësimeve paraprake nga shërbimi zjarrfikës i Lushnjës, dyshohet se zjarri ka startuar si pasojë e një defekti teknik në sistemin e kondicionimit në pjesën e prapme ku mbahej ngarkesa. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.