Përfaqësues të lartë të Kishës Ruse vizitë ‘sekrete’ në Maqedoninë e Veriut, cili është misioni dhe pse po heshtet?!

Shkruan: Naser Pajaziti

Një delegacion i lartë kishtar rus i udhëhequr nga Mitropoliti Atnonij sot ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut, për një vizitë tre ditore, por që kjo vizitë po tentohet të mbahet larg vëmendjes së opinionit. Kjo kishë është përkrahëse e fuqishme e diktatorit rus Vlladimir Putin dhe krimeve të tij që po kryen me agresionin në Ukrainë. Vizita misionare nisi pikërisht sot kur në Shkup erdhi zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet. Delegacioni misionar rus, në këtë periudhë turbulencash rajonale dhe gjeostrategjike, do të qëndrojë për tri ditë në RMV dhe do të vizitojë disa kisha dhe manastire.

Mitropoliti Antonij po shoqërohet nga zëvendësi i tij Nikolai Balashov, i cili prej shumë vitesh ka qenë në krye të diplomacisë kishtare ruse, ndërsa ata po shoqërohen edhe nga ambasadori rus në Shkup, Sergej Bezdnikin. Delegacioni kishtar rus është pritur nga anëtarët e Sinodit të Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, të cilët po thonë se s’ka asgjë sekrete, por nuk japin detaje. Sot takimi mes tyre ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë.

Por, ky delegacion do të qëndrojë edhe për tri ditë dhe do të vizitojë disa kisha dhe manastire. A duhet një reagim më gjithëpërfshirës, sepse këto vizita misionare dihet se nuk janë qëllim mira dhe përbëjnë rrezik për vendin! Fakte të tjera! Kisha Ortodokse Ruse është një burim i fuqishëm I përkrahjes së agresionit rus në Ukrainë. Kjo kishë pushtimin e ka quajtur “Mrekulli e Zotit” dhe e ka bekuar këtë pushtim të egër me mijëra viktima. Sipas “Center for European Policy Analysis”, Patriarku Kirill, një mbështetës i zëshëm i luftës u ka thënë 90 milionë ndjekësve të tij se “sakrifica gjatë kryerjes së detyrës suaj ushtarake fshin të gjitha mëkatet”, dhe e ka përshkruar si një “luftë të shenjtë” sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Pra është propaganduar një mesazh i modës së vjetër, thuajse mesjetare: Vdisni për Rusinë, dhe shkoni në Parajsë. Një hetim zyrtar holandez, gjatë muajve të fundit, Kisha Ortodokse Ruse thuhet se ka marrë një rol edhe më aktiv në sulmin në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës. Sipas disa raporteve mediatike, kisha krijoi një grup mercenarësh, Kryqi i Shën Andreas, dhe filloi të rekrutonte në mënyrë aktive njerëz për të dërguar një batalion vullnetarësh në Ukrainë. Në një intervistë televizive, Vladimir Khilchenko, drejtor koordinues i grupit, deklaroi se “kjo është kompania ushtarake private nën varësinë e Kishës Ortodokse Ruse”.

Më vonë Kisha tha se ajo ishte një “qendër e trajnimit taktik” për disa kompani ushtarake private dhe se nuk drejtohej posaçërisht prej saj. Roli i Kishës Ortodokse Ruse si një nxitëse e padiskutueshëm e ambicieve imperialiste të shtetin rus nuk është i ri. Po ashtu Kisha Ruse është akuzuar se ishte përfshirë në operacione dezinformuese dhe se priftërinjtë, murgjit dhe murgeshat mund të kenë ndihmuar fushatën ushtarake ruse, raporton “Center for European Policy Analysis”.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, inteligjenca ukrainase bastisi kishat ortodokse ruse dhe akuzoi një kryepeshkop për mbështetjen e pushtimit në postimet e tij në mediat sociale. Kritikët e kishës thonë se Perëndimi duhet të kuptojë se Kisha Ortodokse Ruse është aq subversive sa edhe çdo lloj arme tjetër që përdor sot Kremlini kundër Ukrainës. Patriarku Kirill dhe disa misionarë të tjerë të kësaj kishe janë vendosur në listën e sanksioneve nga SHBA, Britania e Madhe dhe Kanadaja…. Derisa e kuptoj mosreagimin e institucioneve, pse nuk ka asnjë reagim nga departamentet e ashtuquajtura partiake të sigurisë, por edhe nga sektori joqeveritar.