Do të ishte për keqardhje nëse Bullgaria e pengon procesin e inkuadrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, konsideron diplomati amerikan, Xhejms Perdju, ish ambasador në Sofje dhe një nga ndërmjetësuesit në bisedimet për Marrëveshjen e Ohrit.
“E di se është joshëse Bullgaria të tentojë ta përdorë pozicionin e saj si anëtare e BE-së, derisa Maqedonia e Veriut tenton të merr anëtarësimin. Por, nuk jam i sigurt nëse ia vlen të krijohet armiqësi mes qeverive të dy vendeve dhe popujve te tyre”, ka thënë Perdju në intervistën për emisionin “E Shtuna 150” të BNT-së bullgare.
Ai ka thënë se interes kombëtar i Bullgarisë është që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së dhe prandaj Sofja duhet ngushtë të bashkëpunojë me Shkupin.
“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut është njëri shumë progresiv. Ai kishte guximin të arrijë marrëveshje me Greqinë për kontestin e emrit. Unë jam shumë i impresionuar nga ai. Ai bën punë shumë të mirë për vendin e tij. Do të ishte për keqardhje që Bullgaria të pengojë procesin e inkuadrimit të vendit në BE për shkak të historisë dhe gjuhës. Në fund të fundit, ne poashtu flasim anglisht, por nuk kemi dëshirë që t’i imponohemi Anglisë. Çdo vend mund ta konsiderojë gjuhën e tij si të dojë. Kontestet historike asnjëherë nuk janë zgjidhur përfundimisht. Shkencëtarët debatojnë me shekuj. Le ta përfundojnë punën e tyre. Ka mënyra se si ta bëjnë atë- dy palët kanë aq gjëra të përbashkëta”, ka thënë Perdju.
Ai ka shtuar se më shumë do të kishte dashur të sheh bashkëpunim, jo bllokada mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Unë jam mik i dy palëve. Jam i shqetësuar për këtë bllokadë. Kjo nuk është në interes afatgjatë për Bullgarinë”, konkludon diplomati amerikan, Xhejms Perdju në intervistën për “E Shtuna 150”.




