Kur të gjithë mendonin se delegacioni i Shqipërisë dhe Kosovës do ishin bashkë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë samitit të 77 të OKB në New York, nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi të dyja palët kanë qenë të përçarë, shkruan Bota Sot.
Kryeministri Edi Rama është shfaqur indiferent ndaj delegacionit nga Kosova të kryesuar nga presidentja Vjosa Osmani, duke vijuar axhendën e tij dhe injoruar atë. Rama ka gjetur kohë dhe është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, por jo me zonjën Osmani.
Ka qenë vetë Vuçiç, ai i cili ka publikuar foton në rrjetet sociale krah mikut të tij, Edi Ramës, teksa nuk ka lënë pa përmendur “Ballkanin e Hapur”, duke thënë se kjo nismë është e ardhmja e rajonit.
Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pasur një axhendë më të ngjeshur, pasi është takuar me shumë personalitet të larta botërore.
Nga ana tjetër, gazetari Robert Papa foli mbi vizitën e Ramës në OKB. Papa theksoi në një studio televizive se takimet në OKB janë të nivelit të qokave duke theksuar se bisedat serioze me partnerët bëhen në Uashington. Papa tha se dalja e kryeministrit shqiptar në emisionin e Grenell, mund të jetë dhuratë e Vuçiçit, ose të jetë siguruar nga vetë kontaktet që Rama mund të ketë ruajtur me “të besuarin” e Trump, i cili nuk përfaqëson konservatorët e djathtë.
“Takimet që bëhen në OKB janë të nivelit të qokave, mundohesh të kapësh kë të kapësh. Ata partnerë e dinë që Rama pranoi dhjetëra iranianë të opozitës vetëm për një ftesë në Shtëpinë e Bardhë. Ndryshimi midis Berishës dhe Ramës, është që Berisha pritej nga 500 ose 1 mijë shqiptarë me ovacion ose respekte. Shumë liderë e shohin vizitën në OKB, thjesht si vizitë për të parë Nju-Jorkun dhe shkaktojnë trafik. Media e djathtë ka theksuar që OKB-ja ka ngelur në nivel propagande. Bisedat serioze me partnerë duhet të bëhen në Uashington. Takimet në OKB janë 5-10 minuta. Rama tregoi afrim me Vuçiçin. Në vend të dilte në krah të Presidentes së Kosovës, u shfaq me Vuçiçin! Nuk e di si mund të informosh partnerët mbi sulmin iranian kur shfaqet kaq miqësor me një kundërshtar të Perëndimit, dhe aleat të Putinit”, deklaroi Papa.




