Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar krijimin e një Gjykate Speciale për hetimin dhe gjykimin e vrasjeve të civilëve boshnjakë me snajper gjatë viteve ’90.
Ai ka përmendur se në ngjarjet e njohura si “Sarajevo safari” mund të ketë pasur përfshirje edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Kurti shtoi se pretendimet për “shtëpinë e verdhë” dhe trafikimin e organeve në Shqipëri janë të pabaza dhe pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së.
“E ashtuquajtura shtëpi e verdhë në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarët e UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Ajo është iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev, më 15 prill 2008, as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, tha ai.
Burjani: Kosova, Bosnja dhe Kroacia ta padisin Serbinë për krime dhe gjenocid në këto tri shtete
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thekson se çështja e Bosnjës është e dhimbshme dhe Serbia nuk është shpallur kurrë shtet gjenocidist, pavarësisht krimeve në Srebrenicë.
Ai propozon që Kosova, Bosnja dhe Kroacia të bashkëpunojnë për ta paditur Serbinë për gjenocid, duke përfshirë mundësinë e një padie në Këshillin e Evropës.
“Çështja e Bosnjës është një histori po ashtu e dhimbshme. Siç dihet, një gjykatë ndërkombëtare është marrë me këtë temë. Fatkeqësisht, përkundër padisë së bërë ndaj Serbisë për krime në Srebrenicë, prapë nuk u shpall Serbia shtet që ka bërë gjenocid. Vrasja e mijëra shqiptarëve, dhunimet – fatkeqësisht Serbia asnjëherë nuk e mori dënimin e merituar. Kjo është e rëndë për viktimat, si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje.
Problemi është kush do të marrë një iniciativë të tillë. Unë dikur pata propozuar që Kosova, Bosnja dhe Kroacia ta padisin Serbinë për krime dhe gjenocid në këto tri shtete.
Pra, duhet një marrëveshje në mes këtyre tri shteteve për ta paditur sërish Serbinë për gjenocid.
Normalisht, duhet bashkëpunim, koordinim dhe ndërveprim për ta marrë këtë iniciativë.
Një padi në Këshillin e Evropës, apo në bashkëpunim me aleatët tanë SHBA dhe BE, për të marrë një iniciativë të tillë për të themeluar një tribunal të ri, ka pak gjasa të kalojë. Por mendoj se më mirë është të paditet në Këshillin e Evropës Serbia”, shpjegon Burjani.
Jakupi: Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, paraqet një zhvillim me peshë politike dhe juridike në rajon
Analsiti Zejnullah Jakupi, thotë se deklarata e Albin Kurtit për një gjykatë speciale në Bosnje për “Sarajevo safari” ka rëndësi politike dhe juridike, duke theksuar se një gjykatë e tillë forcon llogaridhënien për krimet e luftës.
“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e një Gjykate Speciale në Bosnja dhe Hercegovina për hetimin e rastit të ashtuquajtur “Sarajevo safari”, paraqet një zhvillim me peshë politike dhe juridike në rajon.
Nëse Bosnja do të ndërmerrte një hap të tillë, kjo do të ishte para së gjithash një çështje e sovranitetit të saj dhe e përkushtimit ndaj drejtësisë për krimet e luftës. Një gjykatë e specializuar për hetimin e vrasjeve të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës do të kontribuonte në forcimin e parimit të llogaridhënies individuale për krimet e kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavia”, thotë ai.
Jakupi vlerëson se një gjykatë speciale në Bosnje do të kishte ndikim më shumë politik sesa juridik në Kosovë, duke rritur presionin për llogaridhënie dhe drejtësi rajonale, por juridiksioni i saj do të kufizohej vetëm në Bosnje.
Ai thekson se çdo përpjekje për zbardhjen e krimeve të luftës shërben për drejtësi dhe stabilitet në Ballkan.
“Sa i përket ndikimit në Kosovë, ai do të ishte më shumë politik sesa juridik. Një proces i tillë do të mund të ndikonte në diskursin rajonal për trajtimin e barabartë të krimeve të luftës dhe në rritjen e presionit për hetimin e përgjegjësive në nivele të larta politike, përfshirë edhe pretendimet ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Megjithatë, juridiksioni i një gjykate të mundshme do të kufizohej në territorin e Bosnjës dhe nuk do të kishte efekt të drejtpërdrejtë mbi proceset që lidhen me Kosova.
Në planin diplomatik, një hap i tillë do të rriste tensionet mes Serbia dhe Bosnjës, por njëkohësisht do të theksonte nevojën për drejtësi tranzicionale të plotë dhe të paanshme në gjithë rajonin.
Në fund, çdo përpjekje serioze për të zbardhur krimet e luftës, pavarësisht kujt i atribuohen, është në funksion të së vërtetës, drejtësisë dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan” – përmbyll ai për “Bota sot”.



