Për vlerat e përbashkëta njerëzore

Në prag të “Forumit për Demokracinë” të organizuar nga ShBA-ja, nisi të enjten në Pekin Forumi i 2-të Ndërkombëtar mbi Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore, ku mbi 300 të ftuar nga më shumë se 100 vende e rajone do të diskutojnë gjerësisht mbi format e ndryshme të demokracisë, duke kundërshtuar optikën hegjemoniste.

Folësit kryesorë në ceremoninë e hapjes shtjelluan origjinën, formën dhe efektshmërinë e sistemeve të shumta demokratike, duke rënë në një mendje se demokracia e vërtetë karakterizohet nga dialogu, respekti i ndërsjellë dhe mësimi nga njëri-tjetri. Ata theksuan nevojën e bashkëjetesës së sistemeve të ndryshme në bashkësinë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Forumi ofron një platformë për të gjitha vendet që të ndajnë mendimet, përvojat dhe praktikat e tyre lidhur me demokracinë, në vend të një modeli demokratik të vetëm për të gjithë.

Li Shulei, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kreu i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK-së, tha në fjalimin e tij të hapjes që demokracia është një vlerë e përbashkët njerëzore, një objektiv universal i të gjitha vendeve që synojnë modernizimin dhe baza e ndërtimit të bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Për të formuar një bashkësi të tillë, të gjitha vendet duhet të respektojnë parimin e demokracisë, të mbrojnë demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të nxisin sundimin e ligjit në qeverisjen globale, shtoi ai.

Li theksoi gjithashtu se vendet e ndryshme duhet të kërkojnë bazën e përbashkët e jo dallimet dhe të respektojnë rrugën e çdo vendi drejt demokracisë, duke u shprehur më tej që, nëse një vend është demokratik apo jo, për këtë duhet të gjykojë bashkësia ndërkombëtare, e jo të vendoset arbitrarisht nga disa “gjyqtarë të vetëemëruar”.

Duke vënë në dukje se bota po kalon ndryshime që nuk janë parë në një shekull, Gao Xiang, president i Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore, tha se, me qëllim që të trajtohen sfidat e përbashkëta me të cilat ndeshet njerëzimi, të gjitha vendet duhet të jenë të hapura e të angazhohen në dialog, për të siguruar nxitjen e përparimit global nga modelet e veçanta të demokracisë.