Për vitin e ardhshëm dhe pritshmëritë për ekonominë në 5 vite

Shkruan: Dr Fatmir Besimi
  1. VITI 2020 LIDHUR ME PANDEMINË DHE KRIZËN

Në vitin 2020 u ballafaquam me një pandemi dhe krizën më të madhe ekonomike të shekullit

Kaloi një vit me të vërtetë i vështirë – si në aspektin shoqëror poashtu edhe ekonomik.  Ka ndodhur kriza më e madhe botërore ekonomike dhe shëndetësore në shekullin e kaluar. Efekti i saj është shumë herë më i madh se kriza botërore financiare në vitin 2009. Për krahasim, në atë kohë Bruto Prodhimi Vendor në suaza botërore u zvogëlua për 0.1%, ndërsa u prekën më së shumti ekonomitë më të zhvilluara. Këtë vit, ekonomia botërore pritet të tkurret për -4.4%, ndërsa pothuajse nuk ka asnjë ekonomi që është kursyer nga kriza.

Kriza është përhapur në të gjitha vendet e botës me intensitet të ndryshëm, por pa dallim gjithandej më të goditura ishin kategoritë më të ndjeshme, si amvisëritë me të ardhura të ulëta, migrantët, punëtorët në ekonominë joformale dhe gratë. Ndikimi i krizës ishte më i madh në disa sektorë – turizëm, një pjesë të madhe të degëve industriale, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërsa për sa i përket madhësisë – ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat punësojnë shumë kategori të ndjeshme. Pas 22 viteve, shkalla e varfërisë në botë është rritur.

Kriza e shkaktuar nga Covid-19 është kriza më e madhe shëndetësore dhe ekonomike me të cilën vendi ynë është përballur në përgjithësi. Falë katër pakove të masave ekonomike, nuk lejuam rënie më të madhe se -4.4% në vitin 2020. Edhe nëse rënia është më e madhe, goditja do të jetë më e vogël sesa tek partnerët tanë kryesorë tregtarë. Deri më tani, përfshirë tremujorin e tretë, rezultati ekonomik është -5.9%, me rënien më të madhe tremujore prej 14.9% në tremujorin e dytë. Përkeqësimi i dukshëm i mjedisit ekonomik global dhe rënia e kërkesës së jashtme të shkaktuar nga kriza shëndetësore ndikuan në aktivitetin e kompanive vendore të eksportit dhe prodhimin industrial, remitancave, ndërsa për parandalim t përhapjesë së virusit korona në vend patën ndikim në një pjesë të veprimtarive në kuadër të sektorit të shërbimeve, si tregtia, transporti, hotelieria dhe turizmi.

E gjithë kjo u pasqyrua edhe në buxhetin e shtetit, si dhe në politikën fiskale e cila u zhvillua gjatë vitit. Nga njëra anë, për shkak të ngadalësimit të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik, fluksi i të ardhurave u zvogëlua, ndërsa nga ana tjetër, për shkak të nevojave dhe masave për ballafaqim me krizën e kovidit, ishte e nevojshme të thellohej ana e shpenzimeve, sikurse në të gjitha ekonomitë e tjera në botë.

Reaguam shpejtë, në mënyrë efikase dhe me një vlerë të konsiderueshme të mjeteve

Në mars të vitit 2020, ndalesat administrative me qëllim të ndërmarrjes së masave për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19, që të vendoset shëndeti i qytetarëve në vend të parë, ndikuan në zvogëlimin e aktivitetit ekonomik, që, siç pritej, filloi të reflektohet në mbushjen e arkës së buxhetit. Duke filluar nga data 20 mars, përkatësisht kur fillojnë të ndjehen efektet e masave shëndetësore të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit korona, vërehet një rënie e mprehtë e të ardhurave tatimore prej rreth 25% në bazë ditore. Kjo solli rënien e të ardhurave të përgjithshme tatimore për 11% në raport me vitin e kaluar rënien e të ardhurave të përgjithshme për 5.3% në muajin mars.

Ashtu siç muajt kalonin, masat ndikonin gjithnjë e më shumë në ekonomi dhe me këtë edhe në realizimin e buxhetit, veçanërisht në pjesën e të ardhurave. Në muajin prill, arkëtimi i të ardhurave ishte më i ulët për 20% në raport me muajin prill të vitit të kaluar, me rënie të të ardhurave tatimore prej 31%, ndërsa në muajin maj 24% arkëtim më të ulët të të ardhurave në raport me vitin 2019, me rënie të të ardhurave tatimore prej 28%.

Me afrimin e muajve të verës dhe përmirësimin mesatar të pasqyrës epidemiologjike, arkëtimi i të ardhurave u përmirësua. Gjithashtu, në ndërkohë u miratuan dhe zbatuan tre pako të masave me vlerë prej rreth gjysmë miliardë euro, të cilat gjithashtu e amortizuan ndikimin e masave shëndetësore. Në muajin maj u bë edhe ribalanci i buxhetit me qëllim që të sigurohen mjete shtesë për masa ekonomike dhe shëndetësore. Kishte një numër të masave që injektonin likuiditet në mënyrë të drejtpërdrejt në ekonomi, si mbështetje financiare për pagesën e pagave që mbështetën rreth 20 mijë kompani me mbi 120 mijë të punësuar, linja pa interes dhe kredi të lira që mbështetën mbi 1.500 firma, mbështetje për lloje të ndryshme të kategorive të ndjeshme të mbi 300 mijë qytetarëve, lirime tatimore, etj.

E gjithë kjo kontribuoi që të zbutet rënia e ekonomisë, që u pasqyrua edhe tek të ardhurat në muajin qershor kur ato shënuan rënie prej 9.6% në raport me vitin e kaluar. Për gjysëmvjetorin  e parë të vitit 2020, arkëtimi i të ardhurave ishte për 9% më i ulët në raport me vitin e kaluar.

Në muajin korrik u shënua rritja e parë mujore e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar për 1.2%, ndërsa të ardhurat në muajin gusht shënuan rënie për 14%.

Në ndërkohë, në muajin shtator u miratua një pako e re e katërt e masave, më e madhja deri më tani, me ç’rast vlera e vlerësuar e pakove të siguruara antikrizë pati ngritje mbi miliarda euro. U bë edhe ribalanci i dytë me të cilin sigurohen mjete për një pjesë të masave që kanë implikime buxhetore. Me pakon e re të masave përsëri parashihet mbështetje për firmat për pagesën e pagave për të punësuarit dhe deri më tani masa ka mbështetur mbi 13 mijë kompani me mbi 60 mijë të punësuar. Gjithashtu, vijon edhe aplikimi për linjën e re pa interes prej 31 milionë euro me komponent grant prej 30%, si dhe formimin e fondit të garancisë shtetërore për qasje më të lehtë në kredi për kompanitë. Me këtë pako të masave, do të nxitet edhe konsumi privat përmes ndarjes së  6.000 denarëve për 250.000 qytetarë të kategorive të ndjeshme.

Masat kontribuan në zbutjen e pasojave nga kriza

Masat u përqendruan kryesisht në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve si dhe përforcimin e sektorit të shëndetësisë, mbështetjen e ekonomisë dhe ruajtjen e vendeve të punës, si dhe mbrojtjen e kategorive të prekshme të shoqërisë që ishin të goditur më shumë nga kriza. Vlera e përgjithshme e të gjitha pakove të siguruara në vitin 2020 është rreth një miliard euro, ose afërsisht 10% të BPV-së. U siguruan teste falas, mjete për vaksina, mbështetje për personelin mjekësor dhe mbështetje financiare për rreth 500.000 qytetarë që ishin më të prekur nga kriza përmes transfereve të drejtpërdrejta të mjeteve në llogarinë e tyre të transaksionit, rreth 100.000 vende të punës u ruajtën përmes mbështetjes së rreth 15.000 kompani të goditura nga kriza. Me financimin e një pjese të pagës dy herë në tre muaj, sigurimin e kredive të volitshme për ndërmarrjet dhe një numër të masave të tjera për zbutjen e efekteve të krizës.

Masat vazhduan të japin rezultate që u hasën edhe në rezultatin ekonomik për tremujorin e tretë të vitit 2020, kur pas rënies së lartë prej 14.9% të BPV-së në tremujorin e dytë u shënua zbutje e rënies prej -3.3%. Nëse analizohet sipas komponenteve, do të vërehet se pas rënies së lartë të investimeve bruto prej 34.4% në tremujorin e dytë, në tremujorin e tretë ka rritje prej 4.2%, e cila është si rezultat i rritjes së investimeve në punët ndërtimore, si dhe në makineri dhe pajisje. Njëkohësisht, në tremujorin e tretë, rënia e konsumit u zbut në -1.2% prej -9.1% në tremujorin paraprak. Kjo kryesisht ndodh nga fakti se konsumi publik shënoi rritje prej 13.5% në bazë reale, e cila është si rezultat i rritjes së shpenzimeve për mbështetjen e kategorive më të prekura me pandeminë.

Sa i përket anës së të ardhurave, në muajt vijues rënia është përsëri më e vogël, në muajin shtator -2%, në muajin tetor -5.6% dhe në muajin nëntor -4.6%. Në fund të vitit, edhe pse i njejti ende nuk ka përfunduar, tashmë mund të thuhet se buxheti është realizuar në kuadër të parashikimeve.

Ndërhyrja fiskale për zbutjen e pasojave nga pandemia parandaloi rënie të aktivitetit ekonomik të vlerësuar për afërsisht 7% ose më shumë në vitin 2020, nëse e marrim parasysh se në tre tremujorët e parë konsumi publik pati 1.2 pikë përqind kontribut në rritjen e BPV-së, përkatësiht e zvogëloi rënien e BPV-së nga 7.1% në 5.9%.

  1. PERIUDHA E RIMËKËMBJES DHE RRITJES 2021-2025

Viti i ardhshëm 2021 do të jetë në drejtim të mbrojtjes së shëndetit, rimëkëmbjes ekonomike dhe reformave për rritje të përshpejtuar në periudhën afatmesme dhe afatgjate

Viti i ardhshëm 2021 duhet të jetë vit i rimëkëmbjes ekonomike. Në botë mbizëtëron optimizmi lidhur me imunizimin, i cili do të parandalojë valë të reja të virusit dhe mbylljet e reja të ekonomive.

Në vitin 2021, ekonomia e BE-së parashikohet të rritet për 5%, ndërsa rritja ekonomike globale është projektuar në 5.2%, sipas projeksioneve të muajit tetorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. RF Gjermania, vend në të cilin është e orientuar pjesa më e madhe e eksportit të kompanive tona vendore, pritet të shënojë rritje të aktivitetit ekonomik prej 4.2% në vitin 2021, pas rënies së projektuar prej 6% në vitin 2020.

Sipas skenarit bazë që paraqet dobësimin e krizës shëndetësore dhe përmirësimin gradual të pasqyrës epidemiologjike, shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese dhe shërbyese, efektet e favorshme të masave ekonomike, si dhe rritjen e besimit midis konsumatorëve dhe investitorëve, rritja ekonomike tek ne pritet të kthehet në zonë pozitive në vitin 2021. Pritet rimëkëmbje të investimeve, konsumit dhe kërkesës së jashtme, me ç’rast është projektuar rritje prej 4.1%. Pritjet janë se eksporti pritet të rritet prej 14%, investimet bruto prej 7.7%, konsumi privat prej 3.5%, konsumi publik prej 4.3%, ndërsa numri i të punësuarve parashikohet të rritet për 1. 9%, ndërsa papunësia të ulet.

Sidoqoftë, kemi parasysh edhe karakterin e paparashikueshëm të kësaj krize edhe përskaj zhvillimeve pozitive në drejtim të zgjidhjes së saj. Skenari pesimist bazohet në supozimin se do të ndodhin valë të reja të krizës shëndetësore, rritjen e numrit të të infektuarve të rinj në vitin 2021, që do të ndikojë që masat për distancë sociale të vazhdojnë dhe me përmirësim eventual gradualisht të shfuqizohen gjatë vitit 2021. Nga ana tjetër, masat kufizuese do të kenë reperkusione mbi zinxhirët globalë të furnizimit dhe kërkesës së jashtme, përkeqësimin e pritshmërive të subjekteve afariste dhe amvisërive, uljen e flukseve të investimeve dhe remitancave dhe kështu pasoja negative mbi aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të brendshëm.

Sipas këtij skenari, projeksionet për ekonominë evropiane janë përgjysmuar në 2.5%, dhe duke qenë se ata janë partneri më i madh tregtar për vendin, projeksionet tona do të lëviznin rreth këtij numri.

SMART financa me kornizë buxhetore afatmesme në kushte të paparashikueshmërisë

Që të përballemi me pasigurinë, duhet t’i përcaktojmë të gjitha rezultatet e mundshme dhe t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate secilës prej tyre. Buxheti i vitit 2021 është një përgjigje ndaj skenareve të mundshme vitin e ardhshëm. Me fokus në sferën e shëndetësisë, atë sociale por edhe në investimet publike, si dhe të të ashtuquajturave “bafer” ose rezervave në rast të një vale të re të krizës, buxheti duhet të përgjigjet në mënyrë adekuate për zhvillimet e ardhshme. Fjala kyçe për buxhetin e vitit 2021 është fjala “shëndet”, sepse më e rëndësishme dhe me prioritet më të lartë është shëndeti i qytetarëve, ekonomia dhe financat e shëndosha, si dhe shoqëria në përgjithësi.

Prioritetet strategjike në vitin 2021 janë sigurimi i rritjes ekonomike të përshpejtuar dhe të qëndrueshme, standard më të lartë jetësor dhe cilësi të jetës së qytetarëve, ballafaqimin me pandeminë botërore të shkaktuar nga virusi korona, sundimin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, luftë konsekuente dhe joselektive kundër krimit dhe korrupsionit me transparencë të madhe, arsim cilësor i disponueshëm për të gjithë sipas kërkesës së tregut të punës, administratë publike bashkëkohore dhe efikase të bazuar në dixhitalizim që siguron shërbime cilësore dhe të shpejta për qytetarët dhe subjektet afariste dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, zhvillim i “gjelbër”, uljen e ndotjes së ajrit dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Gjithashtu, për arritjen e performancës më të mirë – sa i përket planifikimit, duhet të shohim pak më larg se “sot për nesër”. Nga dita e parë në Ministrinë e Financave përpiqem që të vendosi konceptin e SMART-financave. SMART është akronim nga puna strategjike, e qëndrueshme, në mënyrë të matur në drejtim të reformave dhe transparente (S-strategic, M-maintainable, A-accountable, R-reform-oriented, T-transparent). Me këtë mënyrë të punës, me veprim të tillë, do të kemi qëllime të qarta që do të jenë të matura, plan për punë, mekanizmat që do të monitorojnë realizimin dhe rezultatet, do t’i masim rezultatet dhe ndikimin e tyre në ekonomi dhe i gjithë procesi do të ketë transparencë të lartë fiskale.

Buxheti për vitin 2021 është një nga hapat e parë të SMART financave. Edhe pse përballemi me një nga krizat më të mëdha dhe më të paparashikueshme, ne shkuam një hap më tej me planifikimin dhe projektimin e një viti fiskal dhe shkuam me projeksionet pesëvjeçare për rritjen, deficitin dhe planin e investimeve publike.

Presim që në afat të mesëm me zbatimin e politikave, masave dhe reformave, të cilat do t’i përmend më tej, të dyfishohet rritja ekonomike në krahasim me mesataren e viteve të mëparshme, e cila varionte mes 2-2.5% rritje të BPV-së në norma të rritjes që do të variojnë mes 4 dhe 5%. Kjo do të thotë edhe përshpejtim të dyfishtë të përmirësimit të standardit të qytetarëve dhe në përgjithësi kushteve të jetesës në vend. Projektojmë që pas vitit 2021, rritja të përshpejtohet në 4.6% në vitin 2023, 5.6% në vitin 2024 dhe 5.9% në vitin 2025. Në periudhën prej vitit 2026 deri në vitin 2030 parashihet stabilizimi i normës mesatare të rritjes ekonomike në 5.75% në vit. Kuptohet, do të përpiqemi që sa më shumë qytetarë të gëzojnë përfitimet e kësaj rritje.

“Abece-ja” e kornizës buxhetore afatmesme për rritjen ekonomike

Kriza sjell rreziqe të mëdha, por sjell edhe mundësi për të dalë prej saj si shoqëri më funksionale dhe ekonomi më rezistuese. Çdo leksion i mësuar është fitim ndërsa këtë krizë duhet ta shohim si një pikënisje nga e cila punët do t’i bëjmë më mirë.

Kemi vendosur tre platforma në bazë të së cilave politika fiskale do të veprojë në periudhën e ardhshme afatmesme. Këto platforma janë në fakt ABC-ja e modelit të rritjes ekonomike: A. Rritje më e zgjuar 2021-2025 strategjia për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e qëndrueshme (SmartER Growth) B. Konsolidim fiscal 2021-2025 dhe C. Plan për investime publike 2021-2025

Sfida e parë është stabilizimi dhe krijimi i hapësirës së re fiskale përmes tkurrjes graduale të deficitit buxhetor, përkatësisht hendekut midis të ardhurave dhe shpenzimeve, njëkohësisht duke mos ndikuar në rritjen ekonomike. Deficiti i projektuar për vitin 2021 është në nivel 4.9%, që është 3.6 pikë përqindje më i ulët në raport me deficitin buxhetor të projektuar për këtë vit. Sipas planit tonë dhe pritjeve tona, çdo vit deficiti buxhetor gradualisht do të tkurret në drejtim të planit të konsolidimit fiskal, kështu që në vitin 2022 do të arrijë -3.8%, ndërsa në vitin 2023 -3.2%, në vitin 2024 -2.9% dhe në vitin 2025 -2% dhe do të jetë nën kriterin e Mastrihtit prej -3% të BPV-së.

Konsolidimin e planifikuar fiskal do ta zbatojmë ashtu që do të veprojmë në përmirësimin e arkëtimit të të ardhurave buxhetore, zvogëlimin dhe ristrukturimin e shpenzimeve buxhetore dhe ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor.

Përmirësimi i arkëtimit të të ardhurave buxhetore do të zbatohet kryesisht përmes masave për zvogëlimin e ekonominë joformale (gri). Një nga prioritetet e Ministrisë së Financave në pesë vitet e ardhshme do të jetë përforcimi dhe krijimi i mekanizmave të reja në luftën kundër ekonomisë gri.

Zvogëlimi dhe ristrukturimi i shpenzimeve buxhetore do të zhvillohet para së gjithash përmes uljes së shpenzimeve joprioritare dhe jothelbësore, siç janë shpenzimet rrugore dhe ditore, shpenzimet për reprezentacion dhe shërbimet kontraktuese. Shkurtimi i shpenzimeve rrjedhëse do të arrihet përmes vendosjes së standardeve për shpenzime materiale për shfrytëzuesit e buxhetit dhe racionalizim dhe rishikim të programeve për transfere dhe subvencione. Përveç kësaj, do të veprohet edhe përmes masave për optimizim dhe rritje të efikasitetit të administratës publike, optimizimit dhe riorganizimit të sektorit publik, dixhitalizimit të një pjese të mirë të shërbimeve publike, vendosjen e kritereve për shfrytëzimin e hapësirave për zyrë nga shfrytëzuesit e buxhetit, përmes kufizimit të vlerave gjatë furnizimit me mobilje, të automjeteve zyrtare dhe udhëtimeve zyrtare me aeroplan vetëm në klasën ekonomike.

Në drejtim të optimizimit të anës së shpenzimeve, do të punohet në rritjen e pjesës së shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme, si dhe përmirësimin e realizimit të tyre. Nëse pjesëmarrja mesatare e shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme në vitin 2017-2019 shënon 8.1%, në vitin 2021 është 9.4%, përkatësisht për çdo 1.000 denarë të dedikuara për shpenzime buxhetore, 94 denarë do të dedikohen për investime, ndërsa tendenca është që kjo përqindje të rritet. Gjithashtu, në 10 vitet e kaluara, shpenzimet kapitale janë realizuar mesatarisht prej 70% nga mjetet e planifikuara në buxhetin e miratuar fillimisht. Përveç planifikimit të shpenzimeve kapitale më të larta, ndërmerren dhe do të ndërmerren masa në drejtim të përmirësimit të realizimit. Kështu, nga viti i ardhshëm, fillon të funksionojë mekanizmi KAPEF për “ndëshkim dhe shpërblim” të shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor prej atyre me realizim më të dobët drej atyre me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale. Më tutje, vendoset metodologjia për vlerësimin e efekteve nga projektet investuese mbi rritjen ekonomike të quajtur PIMA, si dhe metodologjia për vlerësimin e realizimit të investimeve kapitale përmes Smart Key Performance Indicators. Do të vendoset eedhe njësia për monitorimin e realizimit të shpenzimeve kapitale në kuadër të Ministrisë së Financave dhe njësia për mbështetje në nivel të Qeverisë, ndërsa është krijuar Komiteti Nacional Investues edhe në nivel të Qeverisë, me të cilin udhëheq Kryeministri.

Përndryshe, për uljen e borxhit dhe deficitit, rëndësi të veçantë kanë edhe burimet e financimit. Në drejtim të diversifikimit të tyre më të madh, do të bëhet riprogramimi i borxhit publik përmes emetimit të fletëobligacionit zhvillues, si dhe privatizimit të kapitalit shtetëror si ndërmarrjet humbëse ose një pjesë të tokës në pronësi të shtetit. Gjithashtu do të promovohen opsionet për mobilizimin e kapitalit privat në projektet e zhvillimit përmes PPP ose fondeve zhvilluese sipas shembullit të Planit të Junker-it gjatë krizës së madhe financiare dhe krizës së borxhit në Evropë.

Përveç rimëkëmbjes nevojitet edhe stimulimi i aktiviteti ekonomik në drejtim të rritjes më të madhe dhe të qëndrueshme. Ky është qëllimi i platformës së dytë, Strategjia për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e qëndrueshme, që përbëhet prej pesë shtyllave: (1) rimëkëmbja ekonomike, (2) rritja e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike, (3) përforcimi i konkurrencës së sektorit privat, (4) zhvillimi i resurseve njerëzore dhe mundësive të barabarta dhe (5) ekonomi dixhitale (smart).

Rimëkëmbja ekonomike nga Covid-19 do të zbatohet përmes masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjes sociale të kategorive më të ndjeshme, si dhe mbështetjes së ekonomisë, sektorit privat dhe mbrojtjes së vendeve të punës.

Pas rimëkëmbjes ekonomike, parashikohen masa dhe politika për rritje ekonomike të përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ato do të jenë në drejtim të menaxhimit të mirë – përkatësisht sundimit të së drejtës, reforma në administratën publike, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve. Sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe stabiliteti makroekonomik dhe financiar do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme. Këtu janë edhe masat për sigurimin e zhvillimit lokal dhe zhvillimit rajonal të barabartë, mjedisit jetësor të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm.

Njëkohësisht, do të punohet në përforcimin e konkurrencës në sektorin privat, në përforcimin e lidhjeve tregtare dhe integrimin në zinxhirët globalë. Do të ndërmerren veprime të mëtejshme në drejtim të përmirësimit të mjedisit afarist dhe zhdukjes së ekonomisë gri, në përmirësimin e qasjes në në financa dhe adaptimin e teknologjive dhe modernizimin e bujqësisë.

Investimet në kapitalin njerëzor mbeten ndër prioritetet më kryesore edhe në Strategjinë për rivitalizim dhe rritje të përshpejtuar. Do të punohet në zhvillimin e mundësive të barabarta, zhvillimin e resurseve njerëzore përmes investimeve në arsim, shkencë dhe shëndetësi, nxitjen e aktivitetit më të madh të populatës së aftë për punë dhe mbrojtje sociale dhe sigurimit social.

Dixhitalizimi i ekonomisë dhe shërbimeve publike do të jenë të rëndësishme që ndërmarrjet të përshtaten në normalen e re dhe njëherit të rrisin konkurrencën e tyre dhe cilësinë e  shërbimeve dhe prodhimeve.

Sa i përket rritjes së përshpejtuar dhe përmirësimit të standardit dhe kushteve të jetesës në vend është platforma e tretë – Plani i investimeve publike 2021-2025. Ai përqendrohet në zbatimin e projekteve kapitale infrastrukturore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjetike dhe infrastrukturën komunale, si dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin e shëndetësisë, arsimit dhe sistemit social, bujqësisë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Më saktësisht, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, janë planifikuar projekte kapitale në vlerë përgjithshme prej 3.2 miliardë euro, nga të cilat me mjete financiare do të financohen 1.28 miliardë euro nga donacione (përmes IPA fondeve) 112.8 milion euro, ndërsa me mjete nga institucionet financiare ndërkombëtare / kreditorët bilateral, investimet kapitale do të financohen në vlerë prej 1.84 miliardë euro.

Ligjet dhe strategjitë reformuese

Në drejtim të zbatimit të politikave, aktiviteteve dhe masave të tre platformave, tashmë janë përgatitur strategjitë dhe ligjet reformuese që do të mundësojnë që e gjithë kjo të hyjë në fuqi.

Me rëndësi të veçantë është Ligji i ri për buxhetet, që parasheh vendosjen e rregullave fiskale dhe krijimin e Këshilli Fiskal – në drejtim të kontrollit më të madh, buxhetimin afatmesëm dhe krijimin e sistemit të integruar për menaxhim me financat publike – në drejtim të planifikimit më të mirë dhe krijimit të regjistrit të subjekteve publike dhe rritjen e transparencës. Ky ligj përshtatet në konceptin e SMART financave, përkatësisht është krijuar që të sigurojë kornizë për udhëhqjen e politikës fiskale të shëndoshë, të parashikueshme dhe të qëndrueshme, si dhe rritjen e disiplinës dhe përgjegjësisë buxhetore. Me këtë ligj shkohet edhe një hap më tej në drejtim të dixhitalizimit të financave publike, përkatësisht vendosjen e Sistemi të integruar për menaxhim me financa publike IFMIS, përmes të cilit do të përmirësohet kontrolli i realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, nga planifikimi i tyre deri në realizimin përfundimtar.

Është përgatitur edhe Strategjia pesëvjeçare për menaxhim me borxh publik, me të cilën përcaktohen kufijtë e lartësisë së tre niveleve të borxhit, borxhit shtetëror, të garantuar si dhe borxhit të përgjithshëm publik në pesë vitet e ardhshme, si dhe strukturës së borxhit, në drejtim të menaxhimit prudent me të. Sipas strategjisë dhe në drejtim të politikave të konsolidimit fiskal që do të zbatohen, deri në vitin 2025, borxhi publik duhet të vihet nën kriterin e Mastrihtit, përkatësisht të zvogëlohet në 58.8%. Borxhi shtetëror, sipas Strategjisë, do të variojë deri në 53.7% të BPV-së, e më pas do të stabilizohet dhe do të jetë 51% në vitin 2025. Strategjia ka për qëllim që përmes menaxhimit prudent me borxhin publik i njejti të mbahet në nivel të qëndrueshëm. Ajo parasheh financimin e nevojave të shtetit me shpenzim më të ulët të mundshëm, identifikim, monitorim dhe menaxhim me rreziqet ndaj të cilave i nënshtrohet portofoli i borxhit publik si dhe zhvillim dhe ruajtje të tregut financiar të brendshëm efikas.

Përmes zbatimit të Strategjisë pesëvjeçare për reforma në sistemit tatimor duhet të sigurohet drejtësi dhe efikasitet më i madh në sistemin e tatimor që do të nxis investime dhe inovacione e me këtë edhe rritje ekonomike, përgjegjësi më të madhe tatimore – ngritjen e vetëdijes për nevojën e pagesës së tatimeve, transparencën më të lartë tatimore, cilësi më e lartë të shërbimeve, dixhitalizim dhe tatimim i gjelbër. Kjo strategji është pjesë përbërëse e politikës më të gjerë afatmesme të rritjes së përshpejtuar. Ajo i përcakton udhëzimet e përgjithshme për realizimin e anës së të ardhurave të Buxhetit dhe dizajnimin e kujdesshëm të ngarkesës tatimore. Më saktësisht, si të arrijmë disa nga qëllimet thelbësorë, përkatësisht zvogëlimin e ekonomisë joformale, zvogëlimin e pabarazisë ekonomike, tejkalimin e vështirësive në arkëtimin e të ardhurave publike, adresimin e teknikave të sofistikuara për shmangjen dhe evazionin e detyrimeve tatimoren, si përgjigjje ndaj sfidave për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe teknologjive të reja dhe në përgjithësi krijimin e sistemit tatimor që do t’i mbështesë investimet dhe inovacionet e me këtë edhe aktivitetin ekonomik dhe rritjen e përshpejtuar.

Qëllimi i kësaj Strategjie, në sinergji me strategji dhe politika të tjera është që të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për këto probleme. Në drejtim të sigurimit të transparencës më të madhe, janë paraparë aktivitete për shkëmbimin e informacioneve ndërmjet organeve tatimore dhe subjekteve të tjera, të cilat do të bazohen kryesisht në shërbimet elektronike. Njëkohësisht do të përmirësohet edhe cilësia e shërbimeve ashtu që thjeshtëzon dhe përshpejton procedurat dhe zvogëlon ngarkesën administrative. Në këtë drejtim, do të realizohet edhe prioriteti për dixhitalizimin e proceseve. Kjo strategji e cila në të ardhmen do të thotë edhe përcaktim të politikës optimale tatimore, që do të arrihet përmes analizës gjithëpërfshirëse profesionale dhe procesit të gjerë konsultativ dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve në ekonomi dhe shoqëri, përkatësisht odave ekonomike, sindikatave, opinionit të ekspertëve dhe sektorit civil.

Ndërhyrje tjera reformuese do të jenë edhe zvogëlimi i ekonomisë joformale, optimizimi i borxhit publik për sa i përket afatizimit dhe shpenzimeve, si dhe programi për konsolidim financiar dhe menaxhim më të mirë të financave publike nga ana e komunave.

3.  TË PËRKUSHTUAR DREJT QËLLIMIT

Qëllimi ynë përfundimtar në afat të gjatë është që me realizimin e të gjitha këtyre aktiviteteve të planifikuara të arrijmë zhvillim ekonomik që do të jetë në nivel të mesatares së BE-së, që do të thotë standard më të mirë jetësor nga gjysma e vendeve në Union. Me strategji dhe plan të mirë për implementim, si dhe me përpjekje të vazhdueshme mund ta arrijmë këtë. Siç do të thoshte mendja e ndritur e shekullit të kaluar, Albert Ajnshtajn: “Në mes të vështirësisë qëndron mundësia”.