Për të gjithë ata që impresionohen nga veprimet e një lideri klientelist si Rama

Shkruan: Agim Nesho 

Në përgjigje të artikullit të Ekathimerini, ‘Athens seeks delicate balance in the Balkans’

Politika e Jashtme e Shqipërisë gjithmonë ka qenë e fokusuar në një partneritet të fortë me Perëndimin, aleatët tanë strategjikë si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca dhe në rajon në forcimin e boshtit Itali-Greqi, për të realizuar integrimin e plotë të vendit në Perëndim dhe Bashkimin Europian.

Kjo vijë e politikës së jashtme të Shqipërisë ka vazhduar të jetë në çdo qeveri që ka qeverisur Shqipërinë gjatë dekadave të demokracisë, me përjashtim të qeverisë Rama, që me mendjelehtësi, protagonizëm dhe arrogancë e zhbalancoi këtë vijë politike drejt një prioriteti të ri, aksit Beograd-Ankara.

Kjo politikë e re e ka vënë Shqipërinë në një pozitë inferiore për vlerat që duhet të krijojnë në Ballkanin Perëndimor, duke u valëvitur pa bosht midis vasalitetit të Perandorisë Neo-otomane dhe përuljes pa kushte ndaj nacionalistëve serbë në iniciativën anti-europiane të Ballkanit të Hapur. Pjesa tjetër e veprimeve është thjesht një fasadë, klientelizëm që një lider pa bosht dhe vizion bën që të jetë i pranueshëm për botën perëndimore.

Në këtë pjesë të botës së ‘makiazhit’ janë marrëdhëniet që ai ka krijuar dhe mendon të zhvillojë me Greqinë, si vend mik dhe i nevojshëm për Shqipërinë në rrugën e saj perëndimore. Ndoshta inati juaj për retorikat boshe të regjimit Rama se kush e ndërtoi Athinën dhe frika se një vend demokratik mund të qëndronte si ‘sandëich’ midis dy poleve të një perandorie të re që do të rikthente lavdinë e neo-otomanizmit, duket se ka humbur.

Për ne Turqia është një vend mik me vlerë në marrëdhëniet ballkanike, por prioritet për Shqiptarët vazhdon të mbetet demokracia dhe vlerat që ndajmë me vendet për të realizuar identitetin tonë perëndimor. Marrëdhënia e re me klientelistin Rama është një marrëdhënie interesi dhe Greqia është shumë e aftë të kuptojë dhe veprojë kur interesat e vendit kërkojnë veprim.

Por kjo e drejtë juaja është edhe një e drejtë që ju takon shqiptarëve kur kjo gjë ka lidhje me pasurinë dhe të ardhmen e tyre. Në pritje për të konkretizuar marrëveshjen për delimitimin e hapësirave detare, ju besoni se pengesa e madhe për këtë gjë është justifikimi i Ramës për rolin e Presidentit Meta.

Presidenti Meta ishte shtetari institucional që ka respektuar Kushtetutën dhe interesat e vendit të tij. Ai është lideri pro-perëndimor por edhe më dashamirës ndaj marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, me të cilën na bashkon një histori e gjatë.

Ofrimet klienteliste të liderëve që punojnë për pushtet personal nuk janë zgjidhjet më të mira të qëndrueshme, pse jo edhe zgjidhje provokuese që nuk dihet si përfundojnë dhe kujt i shërbejnë.

Me këto veprime regjimi Rama kërkon Greqinë e interesave të ditës, nxitjen e mosbesimit midis vendeve, ndërsa ne dhe shqiptarët kërkojmë Greqinë mike që ka hapur portat për shqiptarët; Greqinë që duhet të marrë rolin udhëheqës në Ballkan si fuqi perëndimore dhe jo t’ja lërë këtë rol Serbisë nacionaliste pro-ruse; një Greqi me të cilën të ndajmë të ardhmen tonë perëndimore; një Greqi që të njohë Kosovën dhe të pranojë ato procese objektive që do ta rrisin rolin e saj të lidershipit në Ballkan.