
Deri në 200 trupa amerikane që ndodhen tashmë në Lindjen e Mesme do të zhvendosen në Izrael për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit në Gaza, sipas zyrtarëve amerikanë.
Ushtria amerikane do të krijojë një taskforcë shumëkombëshe në Izrael, të njohur si një qendër koordinimi civil-ushtarak, e cila ka të ngjarë të përfshijë trupa nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Një zyrtar i lartë tha se asnjë forcë amerikane nuk do të hyjë në Gaza, duke shtuar se roli amerikan ishte të krijonte një Qendër të Përbashkët Kontrolli e cila do të “integronte” forcën shumëkombëshe që do të hynte.
Taskforca do të drejtohet nga Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) me seli në rajon dhe synon të mbikëqyrë progresin e marrëveshjes së armëpushimit dhe gjithashtu të ndihmojë në koordinimin e ndihmës humanitare. /Klankosova.tv