Për një javë në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar 40 persona për lëndë narkotike, ndërsa 56 për zjarre gjatë gjashtë muajve

Në Maqedoninë e Veriut brenda një jave janë arrestuar gjithsej 40 persona nën dyshimet për keqpërdorim të lëndëve narkotike, transmeton Portalb.mk.

“Nëpunës policorë nga njësi të ndryshme organizative policore gjatë javës së kaluar, në dhjetëra rastesh të ndryshme, privuan nga liria gjithsej 40 persona, si dhe dy të mitur, tek të cilët gjatë kryerjes së verifikimeve personale dhe verifikimeve të automjeteve, ishin zbuluar dhe sekuestruar marihuanë dhe materie kokërrzore e bardhë dhe materie pluhurore”, njoftoi Policia.

Sot në mesditë ndër të tjera ka arrestuar tre persona në pikëpagesën në Milladinovci. Në këtë aksion janë arrestuar A.S., N.Z. dhe M.A. nga Koçani, pasi në veturën e tyre janë gjetur material pluhur.

“Nga data 01.04.2025 deri me datën 23.09.2025, janë regjistruar gjithsej 2,012 zjarre në hapësirë të hapur, me ç’rast janë arrestuar gjithsej 56 persona, ndërsa pas ndërmarrjes së masave, janë ngritur 32 kallëzime penale”, sqaroi Policia, duke paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj 27 personave që ishin gjetur në pyje në momentin kur ishte e ndaluar lëvizja nëpër pyje.

Në njoftimin e tyre theksohet se faktori njeri është faktori kryesor për nisjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi që sot janë regjistruar 12 zjarre në hapësira të hapura, ashtu që 5 janë aktive, 5 nën kontroll, ndërsa 2 janë shuar.