Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska, ka deklaruar se kulmi i gripit sezonal pritet në gjysmën e dytë të muajit janar, kur do të fillojë gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2025/2026, dhe do të zgjasë deri në gjysmën e parë të shkurtit. Andonovska theksoi se situata do të monitorohet dhe, në varësi të numrit të të prekurve, do t’i jepen rekomandime Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Drejtoresha njoftoi se në periudhën nga 29 dhjetori deri më 4 janar janë raportuar 1.725 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 2,2 herë më shumë krahasuar me javën paraprake, kur ishin regjistruar 771 raste.
Andonovska theksoi se numri i rasteve të raportuara këtë javë, krahasuar me javën e parë të sezonit të kaluar, është rritur për 5,2 herë, ndërsa krahasuar me javën e parë të kurbës tipike epidemike e modeluar nga 15 sezonet e fundit me 1.244 raste, është rritur për 38,7%.
MARIJA ANDONOVSKA, DREJTORESHË E ISHP-SË
“Pasi gjatë javës së kaluar, java e 52-të/2025 u tejkalua pragu për hyrje në sezonin e gripit (22,03 për 100.000 banorë), gjatë javës së parë të vitit 2026 incidenca e raportuar është mbi kufirin javor të aktivitetit të mesëm (92,52 për 100.000) të virusit të gripit në nivel kombëtar”.
Andonovska tha se, 749 persona janë të moshës 15–64 vjeç, 618 janë fëmijë të moshës 5–14 vjeç, 229 janë fëmijë të moshës 0–4 vjeç dhe 129 persona janë mbi 65 vjeç, ndërsa siç tha ajo incidenca më e lartë është regjistruar te fëmijët e moshës 5–14 vjeç. Ajo deklaroi se numri më i madh i të sëmurëve është raportuar në Shkup – 716, kurse në Kavadar, Negotinë, Strugë, Demir Hisar, Vinicë, Makedonski Brod dhe Radovish, numri i të sëmurëve është më i vogël se 30.
Drejtoresha njoftoi se në sezonin 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin arrin në 3.825. Kurse krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur 2,8 herë.
/SHENJA/




