Për hyrje të shtetasve nga vende të treta Greqia do të udhëhiqet sipas katalogut të BE-së

Lidhur me vendet e treta, jashtë BE-së, Greqia ka qëllim t’i përmbahet katalogut të përpiluar nga BE-ja, përderisa, ndërkaq, deri më 15 korrik nuk do të lejohen fluturime të drejtpërdrejta nga Britania e Madhe dhe Suedia, kumtojnë nga kabineti i kryeministrit grek, pas takimit që Kiriakos Micotakis e mbajti me ministrat kompetentë nga Qeveria e tij në prag të hapjes së turizmit më 1 korrik.

Micotakis theksoi se “i tërë procesi në hapje është dinamik dhe vazhdimisht do të vlerësohen të dhënat”.

Është bërë fjalë për mënyrat në të cilat do të zbatohet testimi i vizitorëve, për protokollet, si dhe për obligimin e detyrueshëm të turistëve, 48 orë para arritjes në Greqi ta kenë plotësuar formularin e posaçëm.

Konstatim i përbashkët, siç kumtuan nga kabineti i Micotakisit, ishte se është bërë përgatitje e drejtë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të ekzistojë siguri maksimale edhe për vizitorët dhe për popullatën lokale.

Në takim morën pjesë ministrat e Shëndetësisë, Turizmit, Politikës digjitale, Detarisë dhe Politikës ishullore, zëvendësministrat e Shëndetësisë, Mbrojtjes civile, për koordinim të punës së qeverisë, si dhe kryetari i Organizatës nacionale për shëndet publik dhe profesori epidemiolog kompetent për Kovid-19./MIA