Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Njësia për Dronë dhe Anti-Dronë në kuadër të Policisë së Kosovës ka ngritur kapacitete të avancuara teknologjike, duke përfshirë edhe një laborator të specializuar për Kërkim dhe Zhvillim (R&D).
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se kjo njësi, përveç kryerjes së detyrave të rregullta operacionale me sisteme dronësh dhe anti-dronësh, zhvillon edhe aktivitete të projektimit, prodhimit, modifikimit, testimit, kalibrimit, mirëmbajtjes dhe optimizimit të pajisjeve teknologjike për qëllime të sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas tij, laboratori mundëson krijimin e zgjidhjeve inovative, integrimin e teknologjive të reja dhe përshtatjen e pajisjeve sipas nevojave specifike operative, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për monitorim, reagim dhe mbrojtje nga kërcënimet ajrore.
Postim i plotë:
Njësia për Dronë dhe Anti-Dronë në kuadër të Policisë, përveç kryerjes së detyrave të rregullta operacionale me sisteme dronë dhe anti-dronë, posedon edhe laboratorin e saj për Kërkim dhe Zhvillim (R&D). Në këtë laborator realizohen aktivitete të projektimit, prodhimit, modifikimit, testimit, kalibrimit, mirëmbajtjes dhe optimizimit të dronëve dhe sistemeve përkatëse, për qëllime të sigurisë dhe mbrojtjes.
Laboratori mundëson zhvillimin e zgjidhjeve inovative, integrimin e teknologjive të reja dhe përshtatjen e pajisjeve sipas nevojave specifike operative. Kësisoj kontribuon në shtimin e kapaciteve policore për monitorim, reagim dhe mbrojtje nga kërcënimet ajrore.
Njësia është gjithashtu në proces të avancimit dhe zgjerimit të strukturës së saj organizative, përmes angazhimit të stafit të kualifikuar nga fusha të ndryshme të teknologjisë, robotikës, inxhinierisë elektronike, mekanike dhe sistemeve dronë dhe anti-dronë. Ky zhvillim synon rritjen e kapaciteteve profesionale, teknike dhe inovative të njësisë, duke mundësuar përballimin më efikas të sfidave dhe kërkesave bashkëkohore të sigurisë.



