Për hapjen e kufijve nuk ka politikë, kriter kryesor është pasqyra epidemiologjike

Në çështjen e hapjes ose mbylljes së kufijve nuk ka politikë, kriteri kryesor është pasqyra epidemiologjike. Kriter kryesor për BE-në është afër ose nën 20 raste të reja të KOVID-19 të regjistruara në 14 ditët e fundit për 100,000 banorë, deklaroi sot Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Çelësi për këtë, tha Dimitrov, është se sa më shumë t’i përmbahemi masave – mbajta e maskës dhe mbajtja e distancës, aq më e mirë do të jetë tabloja epidemiologjike dhe sa më shpejt të hapen të gjithë kufijtë tanë.

I pyetur nëse do të marrim masa reciproke duke i hapur ose mbyllur kufijtë, Dimitrov, tha se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Shtabi i krizave i qeverisë e monitorojnë situatën në të gjitha vendet në baza ditore dhe do të marrin vendime bazuar në rekomandimet e epidemiologëve.

“Para meje është rekomandimi i BE-së për kufijtë dhe lirinë e udhëtimit për qytetarët e vendeve jo anëtare. Kriter kryesor për BE-në është afër ose më pak se 20 raste të reja të KOVID-19 të regjistruara në 14 ditët e fundit për 100,000 banorë. Ky është kriteri kryesor në lidhje me rekomandimet e BE-së. Disa shtete anëtare i zbatojnë plotësisht këto rekomandime, disa i kanë kushtet e tyre shtesë”, deklaroi Dimitrov.

Kjo i referohet udhëtimeve jo thelbësore, porositi Dimitrov, duke shtuar se nga kjo janë të përjashtuar punonjësit shëndetësore, punonjësit në kufij, personeli i transportit, delegacionet qeveritare, diplomatët, personeli ushtarak, pasagjerët dhe personat që udhëtojnë për arsye urgjente familjare, si dhe punëtorë shumë të kualifikuar të nevojshëm në vendet përkatëse.

“Ne do të jemi në konsultime të ngushta me të gjitha vendet me interes. Dy ditë më parë, unë pata një takim me Odën Ekonomike dhe u pyeta nga shumë njerëz që kanë nevojë për takim biznesi në Greqi. Ne do ta hapim atë bisedë dhe do të shohim nëse do të jetë e mundur, me disa protokolle të veçanta shëndetësore, të lejohen kategori të caktuara të njerëzve të udhëtojnë përtej kufirit”, tha Dimitrov./MIA