Për çfarë familje (duhet të) jemi?

Shkruan: Senat Ferati

Para disa ditëve në Kosovë u hapë debati publik në lidhje me martesat e së njejtës gjini, për të cilën çështje Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e dha fjalën e tij përfundimtare, kjo për arsye se çështja në fjalë kishte karakter shumë sensitiv për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kurse kjo çështje po tregohet diskutabile jo vetëm për qytetarët shqiptar të Kosovës, por edhe për të gjithë Shqiptarët kudo që janë, si dhe për popujt tjerë të Ballkanit Perëndimor, dhe më gjërë.

Familjet me martesa të së njejtës gjini, tash më, nuk janë dukuri e panjohur në Perëndim, e posaçërisht në Europë. Përvojat janë më se të ndryshme, kurse efektet e këtyre martesave nuk janë vetëm pozitive, siç mundohen të na bindin gurutë e “shoqërisë së hapur” të cilët veprojnë sipas motos: shoqëri e hapur – familje e hapur. Ky lloj i martesave qytetarët europian është duke i ballafaqur me shumë probleme, si prindërit ashtu edhe fëmijët e të rinjtë, meqë familja si e tillë ka ndikim të madhë në psiqikën njerëzore në të gjitha shoqëritë. Kjo është kështu për faktin se shoqëritë të cilat nuk kanë familje me bazament të shëndoshë emocional, nuk mund të jenë as vetë të shëndosha dhe stabile.

Në relacionin familje – shoqëri ekziston një raport dijalektik: problemet familjare shndërrohen në probleme shoqërore, dhe anasjelltas. Siç nuk mund të ketë sot familje imune nga problemet shoqërore, ekonomike e politike, po ashtu nuk mund të ketë as shoqëri stabile me familje që janë në krizë psiqike, emocionale apo morale.

Nëse për Zhan Zhak Rusonë “familja është institucioni natyror më i vjetër në shoqëri”, të cilën e karakterizojnë funksionet emocionale, reproduktive, seksuale, edukative, arsimore, sociale, ekonomike e shpirtërore, këto funksione tani janë në procesin e rikonfigurimit aktual, i cili proces, sipas Alvin Toflerit, do të shpie drejt monogamisë serike, pra të martesave me lidhje të shkurta, me strukturë familjare të lëkundshme e të paqëndrueshme. Kurse kjo nënkupton shkurorëzime të shpeshta, abortuse të shpeshta, rritje të numrit të familjeve vetëm me një prind, të lidhjeve jashtëmartesore etj. Rezultanta e këtij procesi domosdo se do të jetë kolapsimi i familjes klasike.

Ndryshimet që po i shkaktojnë proceset globaliste (digjitalizimi, individualizmi, sekularizmi, feminizmi, liberalizmi, destrukturimi i autoritetit) janë të pashembullta në historinë njerëzore për nga dinamika e transformimeve dhe po shkaktojnë pasoja shumë të rënda jo vetëm në shoqëritë industriale. Për shkak të këtyre dukurive, sot në Europë kemi luhatje të themeleve të familjes si mungesë të klimës së përshtatshme emocionale, pa të cilën nuk mund të kemi bazament të shëndoshë për edukim moral të individit.

Proceset e lartpërmedura (individualizmi, neoliberalizmi, sekularizmi, transhumanizmi), marrë veç e veç, nuk janë diçka negative, por nëse i marrim në tërësi, siç i ka modeluar rryma neoliberale sorosiane, pra si projekt “shoqëri e hapur – familje e hapur”, kështu siç po imponohen nga elitat politike europerëndimore, kanë prodhuar relativizmin moral, kulturor e epistemiologjik. Në një shoqëri të këtillë, individi, i dhënë pas karrierës, po i jep prioritet suksesit vetanak para interesit shoqëror, kënaqësisë personale kundrejt interesit publik, konsumimit të tanishëm kundrejt kursimit për të ardhmen. Prandaj sot janë bërë të zakonshme marrëdhëniet seksuale paramartesore, abortimet e tradhëtitë martesore, kjo sepse bashkëjetesa e një çifti pa martesë formale është bërë diçka normale, si e drejtë individuale. Andaj sot në familjet europiane kemi rënie drastike të lindshmërive, kemi më pak martesa klasike, shumë divorce, rritje të abuzimeve seksuale (jo vetëm për shkak të pornografisë), shumëzim të kuazifamiljeve homoseksualësh e lejsbejkësh etj. Sot në Europë martesat shkurorëzohen shumë shpejt, me tendencë që më as mos të lidhen në mënyrën klasike, meqë tek të rinjtë kjo ka filluar të kuptohet si institucion i tejkaluar shoqëror. Është bërë e pakuptimtë lidhja e martesave “deri në vdekje”!

Të gjitha këto janë indikator i qartë i korodimit serioz të familjes bashkohore europiane e perëndimore, pasojat e së cilës po i ndjejmë që tani edhe ne këtu, si shtet aspirant për të u integruar në Europë.

Dihet se shoqëritë industriale i karakterizon mobiliteti i madhë social për realizimin e intereseve materiale, i cili mobilitet po rezulton me ndryshimin e paradigmave të organizimit shoqëror, meqë familja e sotme po paraqitet si sfiduese e shtetit, andaj edhe ky po stimulon modele kuazifamiljare në shoqëri duke fragmentuar familjen, duke liberalizuar skajshmërisht abortimet, duke ngushtuar kohën e nevojshme të fëmijëve me prindërit e tyre biologjik dhe duke i ofruar fëmijëve sa më shumë lojëra dhe prindër protetik. Kurse këtu duhet theksuar edhe një faktor të rëndësishëm që po e shkakton këtë labilitet të strukturës familjare në Europë, e ky faktor është dezorientimi shpirtërorë i shoqërisë perëndimore si pasojë e sekularizmit imponues i cili ka koroduar identitetin krishter të saj, apo siç thot Niçeja, e ka vrarë Zotin. Kurse duke e ditur se kultura nuk është e pavarur nga morali, se ajo nuk është produkt vetëm i të mirave materiale utilitare, atëherë mungesa e një busulle stabile në familje domosdo se shpie drejt dezintegrit familjar e social, drejt krijimit të identiteteve fluide (Z. Bauman), në mungesë të kuptimësisë ekzistenciale dhe sigurisë ontologjike (A. Gidens).

Nga kjo që u theksua më lartë nuk duhet kuptuar se në martesat e të së njejtës gjini nuk ka fare dashuri e empati, as nuk duhet anatemuar individët që kanë prirje homoseksuale apo lesbiste. Përkundrazi, barazia para ligjit duhet të jetë diçka e padiskutueshme, por ajo që është e papranueshme është imponimi i kësaj agjende “sorosiane” nga elitat politike dhe pamundësimi i lirisë së zgjedhjes mes modeleve të familjes. Pra, çështja është te cenimi i lirisë themelore njerëzore të zgjedhjes duke imponuar destrukturimin e familjes klasike me imponimin e çdo modeli tjetër të “familjeve moderne” si familje normale.

Për shkak se martesat e së njejtës gjini janë dukuri e re edhe për Perëndimin, edhe shkencat shoqërore nuk kanë analiza konsistente për të dëshmuar “validitetin” e këtyre lloj familjeve përpos supozimeve se edhe familjet me dy baba apo me dy nëna janë po aq të empatike sa familjet klasike. Sot shkenca ka pak të dhëna të sigurta për homoseksualizmin dhe aq më pak për fëmijët e rritur në familje homoseksuale. Por, në anën tjetër, shkenca ka të dhëna të mjaftueshme për të konstatuar brishtësinë e familjeve moderne sepse në shumë raste çunat e këtyre familje po tregojnë sjellje antisociale dhe po përfundojnë edhe në bankën e të paditurve, kurse çupëzat po janë aktive seksualisht që në moshë të hershme dhe kështu, me apo pa dashur, po bëhen viktima të shpeshta të shtatzënisë tinejxherike. Kurse abortimet nuk jan edhe aq të padëmshme për trupin e femrës siç propagandojnë LGBT-të!

Por kjo nuk mbaron me kaq! Së shpejti shtetet e Ballkanit Perëndimor, edhe shteti ynë, aspirante për të u anëtarësuar në BE, do të ballafaqohen edhe me sfidën e imponimit të futjes nëpër shkolla fillore dhe të mesme të lëndës së edukimit seksual. Kjo çështje kishte ngritur shumë pluhur në shtetet që sapo u anëtarësuan në BE, kurse dy prej tyre, Polonia dhe Hungaria, për këto dy tema edhe tani janë në konflikt politik me BE-në!

Për futjen e lëndës së edukimit seksual nëpër shkolla, nga përvoja e tanishme e debateve publike në shtetet tjera që janë pranur së fundmi në BE, apo që ndodhen para anëtarësimit në BE, janë kristalizuar dy qasje: si lëndë e posaçme apo e shpërndarë në disa lëndë simotra. Në pajtim me vlerat familjare dhe trashigiminë kulturore që e kemi, por që edhe mos të ngarkohen nxënësit me lëndë të re shtesë, shteti ynë duhet të përcaktohet për opsionin e dytë, pra që për higjienën trupore, për sjelljen e përshtatshme gjinore, për shëndetin reproduktiv dhe gjenital, për përcjelljen e kalendarit menstrual, për sëmundjet ngjitëse gjenitale (HIV/AIDS), për shtatzëninë e paplanifikuar, për abortin dhe kontracepcinë (etj.) nxënësi të mësojë nëpërmjet disa lëndëve të përshtatshme që të evotohen situatat e pakëndshme që mund të paraqiten nëse zbatohet opsioni i kundërt. Sepse ekzistojnë të dhënat se, sa për shembull, në SHBA, që nga futja e edikimit seksual si lëndë e posaçme (“Edukimi për kontracepcionin”), nëpër disa shtete të SHBA-së kemi rritje drastike të shtatzënive, të aborteve dhe sëmundjeve gjenitale. Nëpër disa shkolla ka pasur raste që nxënësve u janë treguar fotografi të organeve gjenitale të dy gjinive, apo video me çifte të cilat realizojnë aktin seksual. Ka pasur raste që nxënësve u janë ofruar në klasë modele tridimenzionale që ata të ushtrojnë vendosjen e kondomit, apo rastet ku nga nxënësit është kërkuar që me zë të artikulojnë emërtimet “penis” dhe “vaginë” – në të kundërtën ka pësuar ndëshkimi!

Meqë edukimi seksual rrallë përmbanë vetëm informacione biologjike dhe medicinale, kuptohet se qarqet politike, për shkak të presionit të Brukselit, do të orvaten që nëpërmjet kësaj edukate do të tentojë romodelimin e qëndrimit të nxënësve ndaj seksit, prindit, familjes shoqërisë dhe jetës në përgjithësi, kinse me qëllim emancipimi të individit. Synimi i kësaj edukate “shkencore” është relativizimi maksimal i vlerave morale tradicionale, detabuizimi i marrëdhënieve paramartesore, “demistifikimi” i autoritetit etj. Sipas agjendës majtiste neoliberale, pra sipas edukimit sorosian, shoqëri e hapur – familje e hapur – individ i lirë, i riu i sotëm nuk duhet “shumë të e dojë kombin, por duhet të jetë i hapur, nuk duhet shumë të e dojë fenë, por duhet të jetë i hapur, nuk duhet shumë të e dojë familjen, por duhet të jetë i hapur dhe i lirë, se vetëm kështu ai bëhet “njeri”. Kurse ne vetëm në të ardhmen do të vërejmë se si do të duket ky njeri me identitete fluide, të pastabilizuara, sepse rezultatet e deritanishme të këtij edukimi nëpër shkolla nuk janë premtuese, meqë kjo ka shkaktuar sjellje të pakëndshme tek të rinjtë duke hequr dallueshmërinë mes njerëzve dhe kafshëve (për sa i përket moralit seksual) duke hequr idenë e ndalesës, idenë e turpit dhe idenë e të shenjtës.

Jeta e mirë dhe e lumtur nuk është në arritjen e ekstazës sa më të gjatë sensuale dhe as virtyti më i lartë nuk është toleranca e të pamoralshmes. Kurse “në botën e re të guximshme” (A. Haksli) brenga më e madhe e çdo njeriu do të jetë nëse të fajësojnë për “jotolerancë” (ndaj LGBT-së) sepse mediat e sotme sociale, të komercializuara skajshmërisht, duke shpërndarë informata me cektësi “cilsore” po promovojnë vlera diskutabile, për të mos thënë destruktive, e më pak po ofrojnë vlera cilësore moralisht orientuese.

Meqë familja konvencionale po duket se ka marrë rënien e lirë, sepse po i depërton korrenti i erërave të forta globaliste nga të gjitha anët, secili njeri, e posaçërisht secili prind, duhet të tregojë integritetin moral dhe kreativitetin e nevojshëm për të u angazhuar në të gjitha format e mundshme të organizimit shoqëror e politik në mbrojtjen e vlerave tradicionale familjare e shoqërore, në pajtim me kodin e tyre moral religjioz, por pa cenuar të drejtat e qytetarëve ateist, por duke rrespektuar vlerat e përbashkëta europiane, pa majorizimin e cilit do grup shoqëror, por kjo nuk nënkupton që të mos angazhohet në evitimin e detronizimit të familjes së tij, për të mbrojtur dhe orientuar fëmijët e tij, që është e drejtë e tij themelore njerëzore dhe kushtetuese, duke mos lejuar mbisundimin e agjendës neoliberale ateiste. Për këtë mision, duhet të ndjehet përgjegjës para ndërgjegjës së tij dhe Zotit të tij.