Për 12 orë, kamerat e “Safe City” kanë regjistruar 65 mijë mosrespektim të rregullave të trafiku!

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovki ka njoftuar se brenda 12 orëve, sistemi “Safe City” ka regjistruar 65,000 shkelje në komunikacion, përcjell TV21. Mes tjerash, sistemi ka regjistruar 1000 automjete pa regjistrim.

“Sot nga SPB-Shkup e shënuam fillimin e periudhës provuese të sistemit “Qytet i Sigurt” (Safe City), ku në 12 orët e para u regjistruan plot 65.000 kundërvajtje. Me këtë projekt po nisemi në një etapë të re të përmirësimit të sigurisë në komunikacion – shkelësit e rregullave të trafikut do të marrin njoftim elektronik për kundërvajtjen e kryer, të dokumentuar me mjete dhe pajisje bashkëkohore të regjistrimit. Qëllimi ynë është i qartë, më shumë siguri, më pak kundërvajtje dhe tolerancë zero ndaj ngasjes së pakujdesshme, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zonë urbane apo rrugë jashtë vendbanimit. Në 12 orët e para të funksionimit provues të sistemit u regjistruan plot 65.000 kundërvajtje, nga të cilat 2.800 për kalim në dritë të kuqe dhe 1.000 për automjete të paregjistruara. Ky numër alarmues edhe një herë e konfirmon domosdoshmërinë dhe arsyetimin e sistemit, nga i cili presim përmirësim të dukshëm të kulturës rrugore, rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe uljen e dëmeve e viktimave në rrugë”, ka shkruar mes tjerash Toshkovski.