Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, dha një përgjigje plot humor pasi u “ngacmua” me një pyetje taktike gjatë konferencës për shtyp, në prag të ndeshjes së raundit të katërt të FA Cup kundër skuadrës së League Tëo, Salford City, që zhvillohet të shtunën.
Guardiola, i njohur për risitë e tij taktike, mbeti i befasuar nga një pyetje mjaft e detajuar e një gazetari, i cili iu referua mënyrës se si ai e ka vendosur treshen sulmuese këtë sezon – madje duke përmendur edhe një deklaratë të tij që daton që nga viti 2006.
I habitur nga niveli i njohurive të gazetarit, tekniku spanjoll reagoi me humor.
“Dëshiron të bëhesh asistenti im?! Dreqi ta hajë, je brilant. Je në nivel shumë të lartë”, i tha tekniku spanjoll gazetarit.
Përgjigjja shkaktoi të qeshura në sallën e konferencave, përpara se Guardiola të vijonte me shpjegimin e tij taktik.
“Ne i përshtatemi cilësive të lojtarëve që kemi. Aktualisht kemi vetëm një anësor të mirëfilltë, Antoine Semenyo dhe duhet të ndërtojmë një sistem që u përshtatet lojtarëve. Asgjë më shumë se kaq”.
“Kur të jem 70 apo 80 vjeç, do të kthehem pas dhe si trajner do të mendoj se do të kisha ndryshuar shumë, shumë gjëra”.
“Ide të tilla si ndërtimi i lojës nga prapa apo presingu i lartë janë pjesë e filozofisë sime. Por nëse nuk kam anësorë, nuk mund të luaj me anësorë”.
“Duhet të gjej një zgjidhje tjetër që i bën lojtarët të ndihen rehat. Asgjë më shumë”, përfundoi ai.



