Shtetet e Bashkuara do të tërheqin 5.000 trupa nga Gjermania, njoftoi të premten Pentagoni, përderisa një përplasje mes presidentit Donald Trump dhe Evropës rreth luftës me Iranin po zgjerohet.
Më herët këtë javë, Trumpi kishte kërcënuar me tërheqje të një pjese të forcave pas përplasjes me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, i cili të hënën tha se iranianët po e turpërojnë ShBA-në në bisedimet për t’i dhënë fund luftës dymojore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar i lartë i Pentagonit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se retorika gjermane rishtazi ka qenë “jo e duhur dhe e padobishme”.
“Presidenti me të drejtë po reagon ndaj këtyre deklaratave kundërproduktive” – tha zyrtari amerikan.
Pentagoni tha se tërheqja e këtyre trupave pritet të kompletohet gjatë gjashtë deri dymbëdhjetë muajve të ardhshëm.
Zyrtari tha se zvogëlimi i numrit të trupave do ta kthejë praninë ushtarake të ShBA-së në Evropë rreth nivelit të para vitit 2022, para se të fillonte pushtimi i plotë rus i Ukrainës, që kishte nxitur shtim të trupave nga presidenti i atëhershëm amerikan, Joe Biden.
Gjermania është baza më e madhe e forcave amerikane në Evropë, me rreth 35 mijë pjesëtarë të personelit aktiv ushtarak dhe shërben gjithashtu edhe si qendër kyçe për trajnime.
Trumpi e ka veçuar Gjermaninë gjatë kritikave të ashpra ndaj vendeve të NATO-s për mosdërgimin e forcave të tyre detare për ta mbështetur hapjen e Ngushticës së Hormuzit gjatë konfliktit.
Kancelari gjerman ka thënë se vendi i tij dhe evropianët nuk ishin konsultuar, para se ShBA-ja dhe Izraeli t’i nisnin sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt dhe e ka bërë të qartë skepticizmin e tij rreth rezultateve të konfliktit.
“Presidenti ka qenë shumë i qartë për zemërimet e tij rreth retorikës dhe dështimit të aleatëve tanë për të ofruar mbështetje për operacionet e ShBA-së që u sjellin dobi atyre” – tha zyrtari i lartë i Pentagonit./Nacionale



