Pentagoni konfirmon se një “balonë kineze e përgjimit” po fluturon mbi SHBA

Një objekt që dyshohet të jetë një “balonë përgjimi” kineze po fluturon mbi Shtetet e Bashkuara prej disa ditësh dhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë këshilluar presidentin Joe Biden që të mos urdhërojë rrëzimin e saj për shkak të shqetësimit se copëzat e saj mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë.

“Është e qartë se qëllimi i kësaj balone është vëzhgimi”, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas disa ditësh pritet të të vizitojë shtetin kinez, raporton zeriamerikes.

Uashingtoni e ka gjurmuar balonën që kur ajo hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së disa ditë më parë, duke e mbikëqyrur me aeroplanë ushtarakë.

Zyrtarët nuk pranuan të thonë se në çfarë lartësie po fluturonte balona, por pranuan se po funksiononte mbi trafikun ajror civil dhe nën “pjesën e jashtme të hapësirës”.

Udhëheqësit e lartë ushtarakë amerikanë shqyrtuan mundësinë e rrëzimit të balonës mbi shtetin e Montanas, por përfundimisht hoqën dorë për shkak të rrezikut të mundshëm të sigurisë.

Zyrtarët amerikanë e diskutuan këtë çështje me homologët e tyre kinezë. “Ne u kemi komunikuar atyre seriozitetin me të cilin e trajtojmë këtë çështje”, shtoi zyrtari.

Balonat përgjuese kanë fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara disa herë vitet e fundit, por kjo balonë duket se ka qarkulluar më gjatë se në rastet e mëparshme, tha zyrtari.

“Aktualisht, ne vlerësojmë se kjo balonë ka vlerë të kufizuar shtesë nga këndvështrimi i mbledhjes së informacionit të zbulimit, por ne gjithsesi po marrim hapa për t’u mbrojtur kundër mbledhjes së informacionit të ndjeshëm nga zbulimet e huaja”, tha zyrtari.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha në botë, kanë qenë të tensionuara kohët e fundit, me përplasje për shkak të Tajvanit dhe gjendjes së të drejtave të njeriut në Kinë, si edhe aktivitetit të saj ushtarak në Detin e Kinës Jugore.