Pendarovski: Zgjedhjet të zhvillohen në atmosferë demokratike

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski zhvilloi takim me anëtarët e rinj të Qeverisë teknike të udhëhequr nga kryeminstri i përkohshëm Oliver Spasovski, njofton SHENJA.

Takimi filloi në orën 18:30 në Kabinetin e Presidentit në Vodno me ftesë të këtij të fundit.

Pendarovski ka uruar anëtarët e rinj të Qeverisë teknike, me pritje që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen në atmosferë të drejtë dhe demokratike, e me këtë të konfirmohet pjekuria demokratike e Maqedonisë së Veriut.

“Presidenti Pendarovski e përshëndeti zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare dhe shprehu pritjet e tij në këto momente historike për vendin tonë, kur duhet të rrumbullaksohet anëtarësimi i plotë në NATO dhe të caktohet datë për fillim të negociatave qasëse me Bashkimin Evropian, ta konfirmojmë kapacitetin demokratik të Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvillohen në atmosferë të drejtë dhe demokratike”, thuhet në kumtesën e Presidentit.