Pendarovski: President i të gjithëve

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski gjatë fjalimit të tij vjetor në Kuvend, tha se në 7 muaj sa është në krye të shtetit, është munduar të jetë president i të gjithëve pa u ndikuar nga asnjë parti, raporton gazeta LAJM. “Në këto 7 muaj të detyrës time jam munduar të jem Presidenti i të gjithëve, jam munduar të mos jem palë e askujt por vetëm të drejtës që e garanton Kushtetuta e vendit tonë. Jam munduar të mos jem pjesë e asnjë partie apo oligarku, por vetëm të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Pendarovski.

Para deputetëve, Pendarovski foli edhe për tema tjera. Ai u ndal edhe te rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin e Gjuhëve. Ai tha se Komisioni i Venecias e cilësoi Ligjin e Gjuhëve si kushtetues dhe se nuk është shkelur Kushtetuta. “Ligji i gjuhëve që kaloj në Komisionin e Venecias. Komisioni i Venecias nuk tha se ligji është kundër Kushtetutës së vendit tonë, po ashtu Komisioni nuk tha se shqiptarët kanë më shumë të drejta, bilës na përgëzuan sepse kemi shkuar përtej pritjeve standardeve evropiane. Ata kishin vetëm një vërejtje, atë në sistemin gjyqësor ku ne nuk jemi në nivel si vend të përdorim edhe aty”, tha Pendarovski.

Presidenti Pendarovski, preku edhe temën e Minishengenit Ballkanik. Ai tha se Minishengeni Ballkanik që po shqyrtohet kohëve të fundit, duhet të jetë i plotë nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo i cunguar me vetëm tre vende, ndryshe nuk funksionon. Ai hodhi poshtë edhe teoritë e fundit që dëgjohen në media si Jugosllavia e Re apo Shqipëria e Madhe. Këto slogane, sipas Pendarovskit, i përkasin shekullit të kaluar dhe duhet të çohen në histori. “Minishengeni Ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tri. Minishengeni që të jetë funksional duhet të jetë i plot, ndryshe nuk funksionon. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me Jugosllavinë e madhe dhe as me Shqipërinë e madhe, kanë kaluar ideologjitë e vjetra të shekullit të kaluar, këto duhet t’i arkivojmë. Minishengeni na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimit konfliktet në rajon”, u shpreh Pendarovski./Gazeta LAJM