Pendarovski në takim me shefat e diplomacive të shteteve “Miq të zgjerimit”: Mbështetje për integrim të vendit në BE

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sonte i ka pritur ministrat e punëve të jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius, të Letonisë, Edgars Rinkeviçs dhe të Polonisë, Jacek Çaputoviç, si dhe nënsekretarin për çështje evropiane të Estonisë, Mart Volmer, vendet e të cilëve anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e grupit “Miq të zgjerimit”.

Në takim, siç njoftuan nga Kabineti i shefit të shtetit, presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e tyre të fuqishme dhe të përhershme për integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Në këtë kontekst, ai e riafimoi pritjen se metodologjia e re do të sillet gjatë këtij muaji dhe me këtë do të krijohej mundësi për hapjen e negociatave aderuese për anëtarësim gjatë presidencës kroate me Unionin”, theksohet në komunikatë.

Nga Kabineti i tij njoftojnë se në takim është biseduar edhe për ngjarjet aktuale në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski e ka theksuar rëndësinë që zgjedhjet të zbatohen në atmosferë korrekte dhe demokratike, ndërsa qeveria e re e përqendruar të vazhdojë me dërgim të rezultateve reformuese, në interes të qytetarëve dhe të ardhmes tonë evropiane.