Pendarovski: Mirë që Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, që të parandalohet konfrontimi ndërmjet ushtrisë së Kosovës dhe Serbisë

-Prania e pesë mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë është garanci se kriza nuk do të përhapet në rajon. Është mirë që Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, në mënyrë që të parandalohet një konfrontim i drejtpërdrejtë ndërmjet ushtrisë së Kosovës dhe Serbisë, deklaroi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Nëse nuk do të kishte pesë mijë ushtarë të NATO-s gjatë problemeve, konflikteve dhe tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ndërsa edhe më parë kishte situata të ngjashme, pa trupat e NATO-s atje konflikti do të ishte përhapur dhe së pari do të kishte një konfrontim të drejtpërdrejtë ndërmjet ushtrisë dhe policisë serbe dhe kosovare dhe pastaj edhe rrethina do të ishte përfshirë”, tha Pendarovski.

Në pyetjen nëse do të kandidohet për mandatin e dytë, Pendarovski tha se kjo do të varet nga vlerësimi pozitiv i qytetarëve për angazhimin e tij të deritanishëm si komandant suprem i forcave të armatosura dhe president i shtetit.

“Angazhimi im i mëtejshëm në politikë do të varet vetëm nga një gjë. Jo nëse kam dëshirë të jem në këtë post apo në një tjetër, por vetëm nëse mandati im i deritanishëm dhe deri në fund të vitit, i gjithë mandati pesëvjeçar do të vlerësohet pozitivisht nga qytetarët. Nëse qytetarët nuk kanë mendim pozitiv në përqindje të mirë për atë që kam bërë në katër e gjysmë deri në pesë vjet, atëherë sigurisht që nuk do të më shihni në politikë”, shtoi Pendarovski në intervistën për Radion maqedonase.