Pendarovski ia kthen Filipçes: Fotografitë nga Serbia vështirë se janë për t’u lavdëruar

Presidenti Stevo Pendarovski mbetet në deklaratën e thënë në paraqitjen për media, se pamjet nga Serbia janë turp për shtetin.

Në reagimin e tij ndaj ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, Pendarovski thotë se, “vështirë se ato fotografi të qytetarëve tanë duke kërkuar mbrojtje shëndetësore jashtë vendit, pasi nuk e fituan në vendin e tyre, janë për t’u lavdëruar”.

Ai ka reaguar edhe për kritikat e Filipçes, kur thotë “se në procesin e vaksinave mungoi mbështetja e Pendarovskit”.

Pendarovski thotë, se komunikimet e para për blerjen e vaksinave janë bërë nga Kabineti i tij.

“Pendarovski është habitur se pse ministri Filipçe me vetëdije nuk e përmend faktin se kontaktet fillestare me kompanitë farmaceutike më të mëdha janë bërë nëpërmjet kabinetit të presidentit, dhe prej atëherë, deri më sot presidenti është aktivisht i përfshirë nëpërmjet kanaleve diplomatike në procesin e blerjes së vaksinave”, thuhet në reagimin e Pendarovskit, transmeton TV21.

Përfundon, se këtë e ka bërë, edhe pse vaksinat janë kompetencë primare e ministrit.