Pekini: Fjalimi i Blinkenit ‘njollos Kinën’

Ministria e Jashtme kineze ka akuzuar të premten Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për “njollosje” të shtetit, pasi zyrtari amerikan përgjatë një fjalimi ka bërë thirrje për veprim, ashtu që të balancohet ndikimi i Pekinit.

Fjalimi i Blinkenit “përhap informacion të rremë, ekzagjeron kërcënimin nga Kina, ndërhyn në punët e brendshme të Kinës dhe njollos politikat e brendshme dhe të jashtme të Kinës”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë kineze, Wang Wenbin në një konferencë për media.

Kina është përballur me një mori paralajmërimesh nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Perëndimit për shkak të rritjes së ndikimit dhe ambicieve globale.

Në një fjalim të gjatë, të mbajtur të enjten, Blinken ka paralajmëruar për “qëllimin e Kinës për të riformësuar rregullin ndërkombëtar” dhe ka bërë thirrje për mbrojtje të rendit botëror.

Ai ka akuzuar Pekinin për rritje të tensioneve për shkak të Tajvanit – një ishull kinez që udhëhiqet vetë, të cilin Kina e sheh si pjesë të sajën – dhe ka thënë se Pekini ka “shkëputur lidhjet e Tajvanit me shtetet në gjithë botën dhe po e bllokon atë nga pjesëmarrja në organizata ndërkombëtare”.

Wang ka thënë të premten se Kina “kundërshton fjalimin e Blinkenit, duke thënë se Uashingtoni synon “të ndalë dhe të shtypë zhvillimin e Kinës, si dhe të ruajë hegjemoninë dhe fuqinë e SHBA-së”.