Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do ta vazhdojë edhe nesër aksionin e saj para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për GazetaBlic deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Do të jemi aty deri në kthimin e rendit kushtetues”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Kujtojmë se, Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që seanca e Kuvendit të vazhdojë nesër, më 18 gusht, në orën 11:00.
Në një letër të nënshkruar nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, thuhet se kryesuesi duhet të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe procedurale për të vijuar procesin e konstituimit të Kuvendit.
PDK argumenton se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar, sipas saj, një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Duke u mbështetur në Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 18 gusht 2026, në ora 11:00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive”, shkruhet në letër.
PDK thotë gjithashtu se përgjegjësia e kryesuesit është të mundësojë zhvillimin e seancës deri në përfundimin e procesit dhe se vendimmarrja nuk duhet të bazohet në konsiderata politike.
/GazetaBlic/



