PDK për kërkesën e Prokurorisë së Speciales: Po synohet barazimi i viktimës me agresorin

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale që t’iu caktohen nga 45 vjet burgim katër ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

Sipas PDK-së është vërtetuar ajo e cila është thënë prej fillimit dhe se me këtë qasje, prokuroria po e synon barazimin e viktimës me agresorin duke u përpjekur ta ndërtojë një narrativë të rreme.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje e Prokurorisë synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri. Ajo u konkretizua edhe sot përmes kërkesës për dënime absurde që reflektojnë vetëm ndëshkim politik dhe selektiv. Gjithashtu, përpjekja për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me një pretendim kriminal është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës është akt politik i njohur ndërkombëtarisht, i mbështetur nga aleatët tanë strategjikë dhe i ndërtuar mbi të drejtën universale të popujve për liri”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Tutje thuhet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor që u lind nga nevoja për rezistencë, si përgjigje ndaj dhunës së shtetit serb.

“Në këtë kontekst, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal. Ajo ishte përgjigjje e domosdoshme ndaj dhunës së aparatit shtetëror serb dhe mohimit të çdo rruge tjetër për liri. Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon bindjen e saj të plotë në pafajësinë e çlirimtarëve dhe në legjitimitetin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çdo përpjekje për kriminalizimin e kësaj lufte është përpjekje për rishkrim të historisë dhe për cenim të themeleve të shtetit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në reagim.