PDK kritikon paraqitjen e Kurtit në Munih, thotë se ai vazhdon të jetë mohues i progresit të vendit

Përmes një komunikate për media, PDK thotë se Kurti, në paraqitjen e tij në Konferencën e Munihut, “duke dalë me ‘ide të reja’, të llojit të vjetër të Ballkaniadës, ai reagoi ashtu siç kishte bërë në kohën e Rambouillet dhe në kohën e Pavarësisë: mohues ndaj progresit dhe i hutuar para ngjarjeve historike”.

“Pozicionimi i ri politik i Kurtit në Konferencën e Munihut, në emër të shtetit të Kosovës, për një Plan ‘Marshall’ për vendet e Ballkanit Perëndimor, është përpjekje kamuflimi më e rrezikshmja e mundshme për kompromise para Serbisë, që mund të bënte ai si Kryeministër i vendit. Të kërkosh ta trajtosh Serbinë në përkrahje, njëjtë si vendin tënd, është si të pranosh ta bësh agresorin – Serbinë të barabartë me viktimën – Kosovën”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Siç thuhet në njoftimin e PDK-së, Kurti po bën gabimin e madh për vendin, kur mendon ta zgjasë Dialogun Kosovë-Serbi, duke e nisur atë prej fillimit – “ashtu siç propozoi së fundmi spanjolli Borrell, e jo që ai të përfundojë sa më shpejtë – ashtu siç kërkon SHBA-ja”.

PDK-ja thotë se Kosova nuk ka nevojë për eksperimente dhe ide të tjera, por për marrëveshje që mbron sovranitetin e vendit tonë dhe e anëtarëson Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Ftojmë Albin Kurtin që të qëndrojë konform detyrimeve kushtetuese, e jo t’i shkelë ato si parimet që ka proklamuar para ardhjes në pushtet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë në anën e Kosovës”, deklaron kjo parti.

Po ashtu PDK thotë se do të qëndrojë fort përkrah pozitës në çdo veprim dhe qëndrim që mbron dhe zhvillon shtetin e Kosovës, “por do të jetë e pakompromis në çdo lëvizje të saj nga vullneti qytetar dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.