PDK-ja e LDK-ja nisin “mobilizimin”

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovë kanë nisur atë që e kanë cilësuar “mobilizim” të strukturave.

Në kohën kur afati përfundimtar për zgjedhjen e presidentit të ri po rrjedh, liderët e dy partive kanë nisur t’i takojnë strukturat e partive nëpër degë lokale.

PDK-ja ka thënë se bëhet fjalë për mobilizim përballë krizave. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka takuar kryesitë lokale në Gjilan e Viti “në funksion të rritjes së mobilizimit dhe organizimit të brendshëm”.

“Në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend. Kryetari Hamza theksoi se Qeveria Kurti po qëndron si spektatore, duke dështuar të marrë përgjegjësi për menaxhimin e situatës. Sipas tij, kjo qasje e papërgjegjshme po e shtyn vendin drejt një faze të re krize dhe paqëndrueshmërie. Hamza bëri thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe anëtarësisë, duke theksuar se vetëm një PDK e fortë, e organizuar dhe e bashkuar mund ta udhëheqë vendin drejt stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit euroatlantik”, u tha në komunikatën e PDK-së për media të premten.

Sipas komunikatës, Hamza ka thënë se “PDK duhet të jetë në çdo qytet, në çdo lagje dhe pranë çdo qytetari, si zëri dhe shpresa për ndryshim”.

Hamza ka paralajmëruar vizita edhe në strukturat tjera të partisë për riorganizim dhe mobilizim.

Ngjashëm, por me fokus për “përbashkim të madh” të LDK-së, ka nisur aktivitetet edhe kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Ai ka qëndruar në Viti në atë që e cilësoi si nisje të “ciklit të takimeve në bazë”.

“Përbashkimi i madh rreth LDK-së kërkon rikthim te baza. Te njerëzit tanë. Te ata që nuk kërkojnë asgjë për vete, përveç unitetit dhe ringritjes sonë. Prandaj, kam nisur ciklin e takimeve në bazë. Qëndrova në Viti. Fola hapur dhe mora mesazhe të qarta nga mbështetësit tanë. Shqetësimet, pritjet dhe kërkesa për bashkim janë të njëjta kudo; dhe janë më të forta se kurrë. Dhe ky bashkim do të ndodhë. Jo vetëm si dëshirë, por si vullnet i njerëzve tanë. Si nevojë e kohës. Si rruga jonë përpara”, ka shkruar ai në Facebook.

Mundësia për zgjedhje të reja parlamentare po afrohet. Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri – ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Afati u caktua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të javës së shkuar, duke e shpallur të pavlefshëm një dekret të presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin. Osmani pati nxjerrë dekretin me arsyetimin se Kuvendi ka pasur afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin – një muaj para fundit të mandatit të saj. E Kushtetuesja më 25 mars vendosi që Kuvendi ka edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin – duke konstatuar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen ka nisur më 5 mars kur Kuvendi nuk hodhi në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe të Fatmire Mulhaxhës së Vetëvendosjes, për shkak të mungesës së kuorumit.

E kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe Abdixhikun edhe para se çështja të dërgohej në gjykatën më të lartë në vend dhe para se ajo të nxirrte aktgjykimin.

Megjithatë, këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat.

Osmani pati shprehur ambicie edhe për mandatin e dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit do të vazhdojë angazhimin politik. Asaj i përfundon mandati sot. Detyrën pritet ta dorëzojë gjatë ditës te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu që do të jetë ushtruese detyre e presidentes.