PDK-ja akuzon Vetëvendosjen se po prodhon kriza për të pasur pushtet absolut

Në Partinë Demokratike të Kosovës e kanë vlerësuar kushtetues dekretin e nxjerrë nga presidentja Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Zyrtarë të këtij subjekti thanë se Vetëvendosje po e keqinterpreton Kushtetutën për të prodhuar kriza institucionale. Por, njohës të rrethanave juridike vlerësojnë se Osmani veproi në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për t’i dhënë fund legjislaturës së 10-të është në përputhje me Kushtetutën, kanë thënë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese kur ky organ dështon ta zgjedhë Presidentin brenda afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.

Në konferencën për media, Gruda tha se nëse nënkuptohet se shpërndarja e Kuvendit ndodhë vetëm pas dështimit të votimit të tretë për presidentin, atëherë Kuvendi mund të mos thërrasë kurrë seancë dhe ta zgjasë afatin përtej parashikimeve kushtetuese, duke mos aktivizuar as afatin 30 ditësh as atë 60 ditësh.

“Afati 60 ditor shërben kryesisht për situata kur posti i presidentit mbetet vakant, në situata kur ai jep dorëheqje, shkarkohet ose vdes. Në këto raste nuk mund të zbatohet afati prej 30 ditësh i nenit 86 sepse ai lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual”, tha deputeti Gruda.

Por, ndryshe nga PDK-ja, Flamur Hyseni, doktor i Shkencave Juridike vlerëson se dekreti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Vetëvendosje ka kohë edhe dy muaj për ta zgjedhur presidentin e për t’i shmangur zgjedhjet.

“Pikërisht neni 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3 ofron sigurinë juridike dhe institucionale dhe shprehimisht përcakton se Kuvendi e humb aftësinë e tij vepruese: “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës”. Pra, saktësisht përcaktohet se kur dhe në cilat rrethana mund të shpërndahet Kuvendi. Ky kusht ende nuk është plotësuar. Ka kohë deri në ditën e gjashtëdhjetë pas datës 5 mars”, tha Hyseni.

Antikushtetues dekretin e presidentes e ka vlerësuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Në konferencën e Partisë Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje u akuzua se është përgjegjëse për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme dhe për krijimin e një krize të re politike.

“Kur nuk i ke votat, kërkon marrëveshje, kërkon kompromis, kërkon konsensus. Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është Presidenti, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të vendit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.

E zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha se në takimet me PDK-në për marrëveshjen për presidentin, ky subjekt nuk u ankua në emrin e Glauk Konjufcës për president.

“Bedri Hamzën e ftoi KM Kurti dy herë në takim dhe kanë komunikim normal e të mirë. Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka ndonjë problem me Glauk Konjufcën si personalitet, e të cilin LVV e kandidoi krejt n’fund të afatit për president në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën”, tha Manxhuka.

Për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të shtetit deri më 5 mars, presidentja e ka nxjerrë dekretin për ta shpërndarë Kuvendin dhe i ka konsultuar shumicën e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.