Partia Demokratike e Kosovës konsideron se Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të huaja. Kjo parti opozitare po kritikon pushtetin për mungesë të politikave zhvillimore, e cila për katër vite nuk ka arritur të sjellë përfitime te qytetarët.
Sipas Arben Mustafës nga PDK, Qeveria e Kurtit është marrë më shumë me pjesën veriore, duke paraqitur Kosovën si një vatër krize.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa duke folur për sfidat në vend, thotë se edhe bizneset në Kosovë gjenden në vështirësi.
Ai në një intervistë për kp thotë se klima e investimeve në Kosovë ka kaluar në një periudhë mjaftë të vështirë.
“Klima e investimeve në Kosovë ka kaluar në një periudhë mjaftë të vështirë, sidomos gjatë këtyre katër viteve, qoftë nëse flasim për investimet vendore dhe të huaja. Nëse shohim statistikat për investimet private, shohim se këto vitet e fundit ka pasur rënie të vazhdueshme. Ndërsa nëse flasim specifikisht për investimet e huaja direkte, shohim se struktura e këtyre investimeve vazhdon të dominohet dukshëm nga investimet në patundshmëri, që reflektojnë blerjet e apartamenteve kryesisht nga diaspora jonë, ndërsa gjatë këtyre viteve nuk ka një investim të vetëm të madh nga një investitor i huaj që ka sjellë kapitalin në Kosovë dhe ka krijuar një numër të konsiderueshëm të vendeve të punës.
Nëse shohim strukturën e investimeve, shohim se vetëm dy për qind e investimeve të huaja janë në sektorin e prodhimit, ndërsa mbi 60 për qind janë investime të huaja në sektorin e patundshmërisë, që d.m.th Kosova në këto vite ka dështuar totalisht në të qenurit atraktive për investitorët e huaj të cilët janë të domosdoshëm për të shfrytëzuar potencialin ekonomik që Kosova”, thotë Mustafa.
Duke folur për ekonominë në përgjithësi, ai thotë se qeveria Kurti ka kaluar gjithë mandatin duke u marrë me veriun, siç thotë ai, duke e paraqitur vendin si një vatër krize.
“Kemi një qeveri e cila ka kaluar gjithë mandatin duke u marrë me veriun në një formë që ka paraqitë Kosovën në vazhdimësi si një vatër krize, dhe kur jemi tek situata në veri nuk duhet harruar se ambienti politik paraqet një faktorë shumë të rëndësishëm përcaktues për bindjen e investitorëve për të investuar në një vend dhe në një situatë të tillë ku Kosova nëpër mediat e huaja në vazhdimësi paraqitet vetëm si vatër krize kur kemi turbulenca, sigurisht se kjo ka dëmtuar imazhin e Kosovës jashtë vendit, dhe e ka bërë më pak atraktive për investitorët e huaj”, thotë ai.
I pyetur nëse duhet të largohen masat e sigurisë ndaj mallrave serbe, ai thotë se kjo parti në parim është për tregtinë e lirë.
“PDK në parim është për tregtinë e lirë. Tregtia e lirë ndërmjet vendeve është promotori kryesor i inovacionit, i konkurrencës, dhe gjitha këto sigurojnë që qytetarët të kenë qasje në produkte me cilësi më të lartë dhe me çmime më të favorshme. Andaj, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndjek politika të cilat i sjellin përftime qytetarët, i ofrojnë produkte me cilësi më të lartë, me çmime më të ulëta, sidomos në këto kushte ku çmimet në Kosovë janë dyfishuar për produktet më të rëndësishme që konsumon qytetari dhe prandaj janë shumë të rëndësishme politikat që zbusin këtë problematike duke lejuar zhvillimin e konkurrencës dhe duke i ofruar qytetarit mundësi që të kenë qasje në një llojllojshmëri më të madhe të produkteve”, nënvizon Mustafa.
Sipas tij, shqetësuese është edhe mungesa e politikave zhvillimore.
“Bizneset në Kosovë gjenden në vështirësi, mungesa e politikave zhvillimore është vërejtur në mungesën e ideve për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillim të biznesit, ndërsa në anën tjetër kemi një qasje anti biznes nga kjo qeveri, e cila në vend se të krijojë kushte më të mira për një lulëzim të biznesit në Kosovë ka shfrytëzuar instrumentet siç është Administrata Tatimore për kontrolle, ndëshkime vend e pa vend, për të mbushur buxhetin e shtetit, i cili në asnjë formë nuk i është kthyer qytetarit me përmirësim të kushteve të jetesës”, përfundon Mustafa.