Pasuria miliardëshe e SHIK-ut e krijuar në bashkëpunim me bandat serbe… / Kush do të jap llogari?!

Kuvendi i Kosovës e ka kryer gjysmën e punës, për t’i hapur rrugë kontrollit të verifikimit të pasurisë dhe më pas konfiskimit të saj.

Opozita është munduar shumë gjatë ta pengojë, veçanërisht PDK-ja dhe AAK-ja, miratimin e një numri ligjesh që do të ndihmonin në vënien e pjesshme të drejtësisë, sa i përket përfitimit të pasurisë në kurriz të shtetit dhe shoqërisë.

Është miratuar në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke filluar nga Dita e Pavarësisë, 17 Shkurt 2008, dhe periudhën dhjetë vjeçare që nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Ky Projektligj do t’i vë në shënjestër të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë, po ashtu verifikimit dhe konfiskimit mund t’i nënshtrohen edhe anëtarët e familjeve të zyrtarëve, por edhe palët e treta, te të cilët besohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Po në këtë seancë është miratuar edhe Projekt-kodi i ri i Procedurës Penale dhe Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e pasurisë.

Por, kush janë kampionët e krimit ekonomik, për konfiskim të pasurisë?!

Pavarësisht që ky ligj i amniston krimet masive ekonomike të kryera nga viti 1999-17 shkurt 2008, të kryera pikërisht nga njerëz dhe organizata të njëjta apo të ngjashme me SHIK-un, ai para vetës ka një punë tepër të vështirë, aktualisht.

Për Bordin që do të krijohet puna më e vështirë do të jetë hetimi i rrjetit të madh, të SHIK-ut, që numëronte deri në pesë mijë veta në një kohë, sipas informacioneve të mbledhura nga KFOR-i amerikan.

Sipas relacioneve të KFOR-it amerikan për NATO-n, SHIK-u kishte tre mijë agjentë. Nga të cilët 200 deri në 500 veta ishin pjesëtarë të SHIK-ut, të punësuar edhe në Departamentin e TMK-së të njohur si G2. “Menjëherë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, në vitin 1999, SHIK-u ka afruar afër vetes pesë mijë veta”, theksohet po ashtu në raporti sekret të Inteligjencës amerikane të KFOR-it.

Natyrisht që jo të gjithë do të hetohen, por shumë nga figurat publike të pasuruara, pronat e tyre i kanë vënë zakonisht në emër të këtyre njerëzve, si persona të tretë ose në disa raste ata “i mbikëqyrin pronat’ e shefave të tyre.

Në fakt në një proces gjyqësor ku akuzoheshin figura të SHIK-ut ose të angazhuar prej tij për vrasje, në vitin 2012 ish Shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli kishte deklaruar se nuk kishte pasur më shumë se 90 anëtar.

Por, po të ishte kaq i besueshëm Veseli, vështirë se do të kishte përfunduar në Hagë, duke qenë udhëheqës i një shërbimi inteligjent.

Disa ish-udhëheqës të PDK-së dhe aktual, kishin dy burime kryesore të pashtershme pasurimi.

Gjatë luftës pasuria e tyre u rrit në mënyrë eksponenciale duke shfrytëzuar paratë e fondit ‘Vendlindja thërret”, shumë prej të cilave edhe pas luftës duket të jenë ndarë mes më të fuqishmëve të grupit. Shuma e atij fondi më së paku llogaritet të ketë qenë 150 milionë euro, por mund të kenë qenë edhe shumë më e madhe, por nuk kishte një mbledhje të rregullt fondesh, dhe shqiptarët shpeshherë nuk kërkonin dëshmi për dhënien e parave. Edhe sikur të ekzistonte kjo, as ata që i numëronin paratë me ‘thasë’, as ata që menaxhonin, kurrë nuk bën asgjë transparente. Po ashtu me mungesën e transparencës së këtyre parave, ndërlidhet edhe vdekja e Jashar Salihajt, që interpretohet si ‘helmim’!

Menaxhimi i parave, apo keqmenaxhimi i tyre u bë shpesh edhe në luftë mollë sherri, që përfundoi me vrasje, siç besohet në rastin e Ilir Konushecit.

Burimi i dytë i pasurimit të këtij grupi ishin paratë e siguruara nëpërmjet SHIK-ut. Siç deklaronte Veseli agjentët paguheshin me 150-200 euro, një pagesë tepër e ulët. Sigurisht kjo bëhej që paratë e majme të mos shprisheshin, por të ndaheshin nga më të fortët.

Dhe sipas tij deri në shpërbërjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, në janar të vitit 2000, SHIK-u financohej nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, që kryeministër e kishte Hashim Thaçin.

“Deri në janar të vitit 2000 kemi pasur financa të rregullta nga QPK-ja. Më vonë financat nuk kanë qenë të rregullta”, kishte deklaruar Veseli, i thirrur të dëshmonte në procesin “Bllaca” në vitin 2012.

Por, si financohej SHIK-u?

Burimet e financimit të SHIK-ut, po sipas metodave të ndjekura deri në vitin 2000, jo sipas asaj që deklaron Veseli, por institucione kredibile, sipas të cilave më të njohurat ishin haraçi, reketi etj. Por, me krijimin e institucioneve nacionale, pas zgjedhjeve të vitit 2001, atyre iu krijua edhe një mundësi financimi, e cila nuk kishte përfunduar as pas shpalljes së pavarësisë: tenderët.

Kjo metodë u zgjerua aq shumë, sa që pas pavarësisë thuajse qe bërë një sjellje e rëndomtë në tenderët me shifra të mëdha.

Kështu sipas raporteve të publikuara në Kosovës të dokumentacioneve të inteligjencës së KFOR-it amerikan, “bizneset që aktualisht përfitojnë nga tenderët publikë, kanë mbajtur gjallë Shërbimin Informativ të Kosovës”, ndërsa agjentët e saj i përshkruajnë si polici e PDK-së, me të cilën udhëhiqte asokohe, kryeministri Hashim Thaçi.

Por, një informacion i rëndësisë së jashtëzakonshme qe dhënë nga një Raport i Komitetit Kombëtar të Politikës së Jashtme Amerikane në vitin 2010, sipas të cilit SHIK-u vlerësohej se ishte strukturë funksionale edhe pas deklarimit të shuarjes së tij në vitin 2008, dhe vazhdonte të fitonte miliona euro.

“SHIK-u është strukturë e inteligjencës nëntokësore të PDK-së dhe brenda vitit merr 200 milionë dollarë nëpërmjet ryshfetit, grabitjeve dhe shantazhit. Kjo strukturë është një lidhje kriminale mes shqiptarëve dhe bandave serbe si dhe rrjete të tjera kriminale transnacionale”, thuhet në raportin e Komitetit Amerikan.

Pra, brenda 10 viteve, ata kanë përfituar rreth 2 miliardë euro!

Pra, ajo që bie në sy në atë raport është akuza për bashkëpunim të SHIK-ut me “banda serbe”.

Të hënën ish-agjenti i UDB-së Fatmir Sheholli tha se ka punuar edhe për SHIK-un, ku shef e ka pasur Kadri Veselin.

Po ashtu SHIK-un e kualifikonte si “strukturë e inteligjencës nëntokësore të PDK-së”, duke dëshmuar lidhjet e figurave të PDK-së me banda serbe.

Lidhje të fuqishme me organizata kriminale

Komiteti amerikan e saktësonte, se mungonte vullneti politik shtetëror për t’i dhënë fund kësaj gjendje të krijuar nga SHIK-u.

“Në Kosovë jo vetëm që mungon gjyqësori, por mungon edhe vullneti politik për të trajtuar sektorin joformal, për të cilin ka mungesë të legjislacionit për hetimin e krimit të organizuar”, theksohet në atë raport, i cili tingëllon edhe sot plotësisht aktual, por që krijimi i bordit jep shpresa të pjesshme për rivënie të një pjese të drejtësisë.

Një raport i KFOR-it amerikan i bërë publik vite më parë, i cituar këto ditë edhe nga ne, theksonte se në vitet 2001-2004, shpjegonte se SHIK-u ka pasur lidhje të fuqishme me disa organizata kriminale, që punonin ilegalisht apo bënin edhe biznese ilegale.

Raporti përmend “Hotel Victory”, ku sot ndodhet e vendosur policia e Kosovës, pastaj “Kosova Petrol” që jo vetëm se e mbështesnin SHIK-un, por edhe bënin “pastrim parash”, thuhej në atë raport.

SHIK-u gjithmonë ka gjetur mënyra se si të funksionojë edhe nga të ardhurat e tjera. “SHIK-u gjithashtu përdor taktika të frikësimit që të marrë para nga kompanitë e ndryshme. Kompanitë “Lesna” dhe “Agro Llapi”, e një firmë ndërtimi janë në mesin e kontribuuesve më të mëdhenj që financojnë SHIK-un”, theksohet në raport.

Në një proces gjyqësor në rastin Bllaca, një nga personat në drejtim të SHIK-ut, Fatmir Xhelili, thoshte se financimi i kësaj organizate është bërë nga ndihmat dhe donacionet.

“Ka pasur ndihma dhe donacione. Natyrisht se kanë qenë financime legale”, ka deklaruar ai në tetor të vitit 2012.

I pyetur nga gjykatësja për strukturën e SHIK-ut, ai kishte deklaruar se ka pasur shefin e këtij shërbimi, zëvendësshefin, Drejtorin e Shërbimit dhe katër Drejtori.

I pyetur për Departamentin e Zbulim Kundër Zbulim (ZKZ), Xhelili kishte thënë se ky shërbim ka qenë ushtarak dhe nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Xhelili, si drejtor i Drejtorisë për hulumtimin e krimit të organizuar në SHIK, para gjykatës kishte rrëfyer edhe për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të SHIK-ut, që sipas tij ishin morali, inteligjenca, sjelljet, dhe në vendim ndikonte edhe informimi ‘nga rrethi i tij’.