Pastrimi i oxhakut i domosdoshëm! Oxhaqet e papastruara rrezik për zjarre, disa raste në Kërçovë

Oxhaku është një pjesë e rëndësishme e sistemit të ngrohjes. Një oxhak i pamirëmbajtur dhe i bllokuar mund të përbëjë rreziqe serioze jo vetëm për pronën tuaj, por edhe për jetën, pasi mund të vijë deri te zjarri i oxhakut nga papastërtia. Një rast i fundit ishte në qytetin e Kërçovës kur oxhaku mori flakë në orët e vona të natës dhe u vërejt nga kalimtarët e rastit dhe jo nga familjarët, por për fat u intervenua me kohë. Nga Njësia e Zjarrfikësve në Kërçovë thonë se oxhaku përbën rrezik të madh sepse flakët përhapen shpejt. Nga janari deri më tani ata kanë pasur disa intervenime në shuarjen e oxhaqeve.

NJËSIA E ZJARRFIKËSVE KËRÇOVË:

“Nga janari e deri në këtë moment që flasim në Kërçovë kemi pasur pesë thirrje për intervenimin e shuarjes së zjarrit i cili ka ardhur si pasojë e oxhaqeve. Në të pesta rastet zjarrfikësit e Kërçovës kanë intervenuar në kohë dhe e kanë kryer misionin e tyre me sukses, duke mos lejuar që të vijë deri në dëme të mëdha.”

Për të parandaluar zjarrin e oxhakut, është e rëndësishme të pastroni rregullisht oxhakun, thotë mjeshtri për pastrimin e oxhaqeve Xhuli Rrafmani, i cili foli për TV21 duke pastruar një oxhak shtëpie.

“Pastrimi patjetër të bëhet sepse ndizen oxhaqet dhe duhet patjetër të ketë pastrim. Duhet para sezonit të pastrohet në fund të muajit gusht. Dy herë në vit duhet të pastrohet”, tha Xhuli Rrafmani -mjeshtër për pastrimin e Oxhakut.

Ai thotë se kjo punë është shumë e rrezikshme sidomos kur duhet të pastrohen oxhaqet nëpër ndërtesa.

“Po, kam pasur shumë, sidomos kur ndizen nëpër ndërtesa ka shumë rrezik”, shtoi Xhuli Rrafmani -mjeshtër për pastrimin e Oxhakut.

Zjarret në oxhak mund të kenë pasoja të rënda, sepse ato shpesh përhapen në pjesë të tjera të shtëpisë, në çati dhe mure. Përveç kësaj, zjarret e oxhakut janë të vështira për t’u dalluar në kohë, sepse ato mund të fillojnë në majë të oxhakut ose më thellë brenda, kështu që shpesh kalojnë pa u vënë re derisa është tepër vonë.