Pasojat e vërshimeve, stadiumi i KF Vëllazërimit i dëmtuar rëndë

Nga vërshimet në Kërçovë është prekur edhe stadiumi i Vëllazërimit.

Ditën e djeshme nga kjo anë e stadiumit nuk mund të hyje, por sot situata ishte me e qetë. Megjithatë dëmet janë të mëdha, pasi stadiumi është përmbytur nga uji, zhveshtoret janë në gjendje të mjerueshme, gjithçka brenda tyre është shkatërruar, është lagur dhe prishur.
Makineritë të gjitha kanë qenë nën ujë dhe janë jashtë funksionit me një dëm të pariparueshëm.

Mirëmbajtësi i stadiumit tha se ka shumë dëme.

“Shumë e keqe ishte të të them të drejtën, mezi arrita të hyja deri në gjunjë ishte uji brenda, shumë keq. Makina dhe gjithçka është e dëmtuar brenda tani do të shihni”, thotë roja e stadiumit.

Edhe pjesa e stadiumit me bar artificial ka pësuar dëme të mëdha të cilat vështirë do të mund të riparohen. Një tifoz të cilin e takuam aty, Ismet Fejza, tha se dëmi është shumë i madh.

“Këtu sot shoh është bërë dëm. Është ngritur kjo sepse, kjo është në formë tepihu janë bërë këto kodrat që është vështirë të riparohen, duhet të hiqet të rrafshohet dhe gjithçka në vend. Por sipas meje dëmi më i madh është bërë sepse uji i ka bartur ata kokrrat e gomës që janë që i mbrojnë fijet e barit artificial mos të prishen dhe që mbrojnë lojtarët gjatë lojës të mos rrëshqasin”, deklaroi Ismet Fejza.

Kanë reaguar edhe nga kryesia e KF Vëllazërimi, në lidhje me dëmet që janë shkaktuar nga reshjet e shiut.

“Dëmet e shkaktuara përfshijnë pothuajse çdo segment të funksionimit normal të klubit, duke filluar nga tereni artificial, zhveshtoret dhe hapësirat ndihmëse, makineritë për larje dhe tharje, pajisjet kompjuterike, veshjet sportive të lojtarëve, dhomën e mjekëve me ilaçet dhe materialet mjekësore, si dhe muret, dyert dhe gjithë infrastrukturën e brendshme dhe inventarin që posedon një klub sportiv”, thotë KF Vëllazërimi.

Nga klubi në fjalë kërkojnë ndihmë nga sportdashësit që të ndihmojnë në riparimin e dëmit që i është shkaktuar stadiumit.

Stadiumi ndodhet afër lagjes Prilepska ku u vërshuan shumë shtëpi të cilat ende janë të mbushura me ujë. Nga nesër pritet që të dilet në teren për tu vlerësuar dëmi I shkaktuar. Ndërsa mbi 100 banorë të këtyre shtëpive janë evakuuar dhe po qëndrojnë në sallën sportive “Hristo Uzunov” në Ivanidoll./TV21