Pasivizimi i adresave, Mustafi reagon ndaj qasjes së Qeverisë së Serbisë për shqiptarët e Luginës

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Martinoviq, duke i cilësuar ato si shembull të diskursit institucional që fsheh diskriminimin real ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas Mustafit, pretendimi i Martinoviq se pasivizimi i adresave është një procedurë administrative neutrale nuk qëndron, pasi pasojat e saj prekin pothuajse ekskluzivisht shqiptarët.

“Ligji nuk bëhet diskriminues nga teksti i tij, por nga zbatimi. Dhe zbatimi i kësaj politike ka prodhuar pasoja të qarta etnike, duke u marrë qytetarëve e drejta e votës, sigurimi shëndetësor, arsimi, prona dhe vetë ekzistenca juridike”, ka theksuar Mustafi.

Ai nënvizon se heqja e adresës nuk është një akt teknik, por një formë e përjashtimit institucional.

“Kur një shtet i heq qytetarit adresën, ai nuk po e rregullon sistemin. Ai po e përjashton qytetarin nga sistemi”, shprehet ai.

Duke komentuar deklaratat e Martinoviq për të drejtat e garantuara me Kushtetutë, Mustafi vlerëson se të drejtat formale nuk përkthehen në barazi reale në terren.

“E drejta ekziston vetëm kur është e zbatueshme. Kur shqiptari nuk punësohet në polici, në gjykata apo administratë, kur diploma nga Prishtina nuk njihet dhe kur policia ia pasivizon adresën, atëherë nuk kemi barazi, por përjashtim institucional”, ka deklaruar Mustafi.

Ai shton se demokracia nuk matet me numrin e neneve kushtetuese, por me trajtimin praktik të qytetarëve.

Mustafi ka kritikuar gjithashtu listimin e projekteve simbolike nga autoritetet serbe, duke theksuar se ato nuk e zëvendësojnë barazinë strukturore.

“Dy çerdhe nuk e kompensojnë mungesën e përfaqësimit. Disa libra nuk e zgjidhin mosnjohjen e diplomave. Renovimi i një shkolle nuk e fshin realitetin e diskriminimit sistemik – aq më tepër kur këto projekte as nuk janë përfunduar”, ka thënë ai.

Në lidhje me thirrjet për dialog, Mustafi thekson se dialogu nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e realitetit.

“Nuk mund të ketë dialog mbi mohimin. Nuk mund të ketë dialog kur njëra palë mohon ekzistencën e problemit, ndërsa pala tjetër jeton pasojat e tij çdo ditë”, është shprehur ai.

Në fund, Mustafi thekson se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë elementare dhe demokratike.